KFOR vazhdon të ndihmojë në shuarjen e zjarreve në Kosovë

KFOR po vazhdon të ndihmojë institucionet e Kosovës në shuarjen e zjarreve.

Përmes një njoftimi në rrjetin Facebook, KFOR ka bërë të ditur se këtë ndihmë ekipet e po e japin përmes helikopterëve.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të ofrojë mbështetje, sipas kërkesave të institucioneve të Kosovës, në trajtimin e zjarreve në pyje nëpër gjithë vendin. Mbështetja ajrore e KFOR-it për ekipet tokësore ka qenë e domosdoshme duke marr parasysh kompleksitetin e situatës”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet se deri tani kanë marrë dy kërkesa nga Qendra e menaxhimit, për sigurim të ujit.

“Deri më sot, KFOR -i ka marrë dy kërkesa për mbështetje ajrore nga Qendra e Situatës IiK, për të siguruar  ujë në zjarret në Parkun Kombëtar Rugova dhe Oshlak (Prizren), të cilat kishin kërcënuar fshatin Skorobishte”, thuhet tutje në njoftim.

Zjarret sipas tyre, janë fikur edhe me ndihmën e zjarrfikësve, ndërsa potencohet se deri tani, KFOR ka hedhur 35 mijë gallon ujë.

 “Puna intensive e kryer nga pilotët e helikopterëve ka bërë të mundur shuarjen e zjarrit në Oshlak (Prizren) dhe ndihmën e zjarrfikësve të kontrollojnë zjarrin në Parkun Kombëtar në Rugovë. Deri më tani, mbështetja ajrore e KFOR-it ka rezultuar në sjelljen e afërsisht 35,000 gallonësh ujë”, thekson KFOR-i.

KFOR thotë se bashkëpunimi i banorëve mund të jetë vendimtar në raportimin e menjëhershëm të brigadës së shpëtimit në numrin 193 ose në numrin emergjent të Policisë 192.