Foto: ZKM

Këto janë projektet për të cilat aplikon Kosova në Kornizën Investuese për Ballkanin Perëndimor

Në takimin e radhës të Komisionit për Planifikim Strategjik janë miratuar tri aplikacione me të cilat Kosova do të aplikojë në raundin e 25-të të asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se kjo është bërë për zhvilluar projektet sikurse “Rehabilitimi dhe ndërtimi i infrastrukturës për mbrojtjen nga vërshimet përgjatë lumenjve Drini i Bardhë, Sitnica dhe Morava e Binçës”, “Ndërtimi i hidro sistemit Ibër-Lepenc”, dhe për “Përmirësimin e infrastrukturës në institucionet e arsimit të lartë”.

Në këtë takim gjithashtu është miratuar edhe aplikacioni për raundin 6-të të granteve investuese të WBIF, për “Autostradën e Paqes”, seksionin Besi-Merdar, në vlerë prej 38 milionë euro.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, këto mjete financiare pritet t’i shtohen grantit me vlerë të njëjtë tashmë të miratuar në dhjetor nga WBIF, dhe kjo pritet të çojë vlerën totale të përfitimit për këtë projekt në 76 milionë euro nga grantet e WBIF ose 40% e kostos totale të projektit.

Planifikimi i ndërtimit të “Autostradës së Paqes”, rrjedh nga marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është nënshkruar më 4 shtator 2020.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka deklaruar se kjo autostradë do të nis të ndërtohet vitin e ardhshëm.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, asistenca teknike e përfituar për këto projekte do të ndihmojë në përgatitjen për kryerjen e investimeve, ndërsa grantet investuese do të zbatohen drejtpërdrejt.

“Pjesa tjetër e investimeve do të mbulohen nga huatë e ofruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investime. Aplikacionet e miratuara do të jenë në funksion të zbatimit të përfitimeve që Kosova do të ketë nga Plani për Ekonomi dhe Investime i BE-së për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatë.