RrGK: Zgjedhjet dëshmuan forcën e grave, përpjekja për barazi vazhdon

Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, sollën një ndryshim shpresëdhënës për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse.

“Krahasuar me zgjedhjet e kaluara (2019), përfaqësimi i grave në Kuvendin e Kosovës është rritur për pesë ulëse. Nga gjithsej 120 ulëse do të jenë 44 deputete apo 36.6%, kurse në legjislaturën e kaluar kjo shifër ishte 32.5% apo 39 deputete. Për më tepër, edhe kësaj radhe më shumë gra janë zgjedhur pa kuotë se sa që janë zgjedhur falë saj”, thuhet në njoftim.

Sipas RrGK, në bazë të rezultateve të deritanishme të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vetëm 11 prej 44 deputeteve të zgjedhura kanë pasur nevojë për kuotë për të siguruar ulësen parlamentare, kurse 33 gra kanë fituar pa kuotën gjinore.

“Kjo nuk është barriera e vetme që gratë thyen në këto zgjedhje. Ato arritën këtë përfaqësim sado që ishin të nënpërfaqësuara në listat zgjedhore të partive politike, kjo duke kujtuar se asnjë nga partitë politike, as këtë herë, nuk zbatuan Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj). Gratë po ashtu mposhtën faktin që nuk ishin të përfaqësuara barabartë as në debate televizive e as në fushatë. Numërimi i fuqisë së grave vazhdon me faktin që nga dhjetë më votuarit në këto zgjedhje, katër prej tyre janë gra, për dallim nga zgjedhjet e kaluara kur në top dhjetëshe ishin vetëm dy gra”, thuhet në njoftim.

Rrjeti i Grave ka thënë se zëri i gruas bëhet edhe më i fuqishëm kur vërejnë së mbi 60% të grave morën pjesë në votime, dhe se një grua u bë personi më i votuar në histori që pas shpalljes së pavarësisë.

“Kjo është një fitore e lëvizjes së grave në Kosovë, e cila po ashtu dëshmon se vota e qytetarëve për gratë e sjellë ndryshimin pozitiv e aq të nevojshëm. Kjo lëvizje feministe për më shumë se 15 vjet u mbështet dhe u forcua nga organizatat e shoqërisë civile që punojnë për të drejtat e grave, duke përfshirë këtu edhe kontributin e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) për fuqizimin e gruas në politikë në nivel lokal bashkë me Lobin për Barazi Gjinore (Lobi) ndër të tjerash”, thuhet në njoftim.

Për kontekstin historik të këtij triumfi të grave, Zana Hoxha, Drejtoreshë Ekzekutive e ‘Artpolis’, si dhe anëtare e Bordit të RrGK-së, thotë se në fakt kjo është fitore historike e RrGK-së dhe lëvizjes së grave në Kosovë.

Ndërsa kryetarja e Bordit të RrGK-së, Ariana Qosaj-Mustafa, thotë se kjo situatë mund të shërbejë edhe si koha e fundit kur partitë politike duhet të reflektojnë se nuk ka thjesht e vetëm “çështje të grave”, por se barazia gjinore është çështje e të gjithë shoqërisë”.