Foto: Facebook/ Adil Behramaj

Këshilltari i Thaçit: Nuk ka bashkëpunim mes Presidentit dhe Kryeministrit për dialogun

Këshilltari i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Adil Behramaj, tha se nuk ka bashkëpunim mes Kryeminsitrit dhe Presidentit, e as bashkëpunim Qeveri- opozitë lidhur me dialogun apo marrëveshjen e re. Behramaj tha se as qeveria nuk ka unitet.

Behramaj, shtoi se që nga viti 2014, Kosova gjendet në qorrsokak politik për shkak të “aventurave të papërgjegjshme politike”.

“Prandaj, një marrëveshje e re, që dihet qysh tash se përfundon e pavlerë, sepse mungon uniteti politik dhe për të kërkohen 2/3 e votave në Kuvend, mjegullon dhe zvarrit edhe më shumë perspektiven tonë”, tha ai.

Postimi i plotë i Adil Behramaj:

Sot, sigurisht as ju nuk keni kurrfarë shqetësimesh. Mua, si me dorë, krejt shqetësimet m’i hoqi ky këshilltari i kryeministrit, që na foli në emër të tij. Edhe koordinim të plotë institucional paskemi, se as këtë nuk e kisha ditur. Në fakt, kryeministri dhe klubi i valltarëve të tij janë kah e bëjnë situatën shumë shqetësuese. Nuk ka unitet brenda Qeverisë. Nuk ka kurrfarë bashkëpunimi mes Kryeministrit dhe Presidentit. Nuk ka kurrfarë bashkëpunimi mes Qeverisë dhe opozitës.

Mungesa e kohezionit të brendshëm, ku 40 vota shqiptare nuk dihet nëse i ka kjo Qeveri dhe fati i çdo vendimi të saj varet ekskluzivisht nga Lista Serbe, për çdokënd që i kupton pak këto procese do të duhej të ishte shumë shqetësuese. Po ashtu, mungesa absolute e përkrahjes opozitare, sipas së cilës, kryeministri me 25 mijë vota dhe Qeveria e tij nuk kanë fare legjitimitet të na përfaqësojnë, se lëre më edhe të nënshkruajnë marrëveshje të rëndësishme për fatin e Kosovës, sërish do të duhej të ishte shqetësuese.

Që nga 2014-ta jemi në qorrsokak politik për shkak të këtyre aventurave të papërgjegjshme politike. Prandaj, një marrëveshje e re, që dihet qysh tash se përfundon e pavlerë, sepse mungon uniteti politik dhe për të kërkohen 2/3 e votave në Kuvend, mjegullon dhe zvarrit edhe më shumë perspektiven tonë.

Garanca që ky këshilltari i kryeministrit Hoti i jep presidentit për dialogun është më së paku fyerje për presidentin. Ajo më së shumti është fyerje për qytetarët e vendit tonë!