Këshilli Prokurorial konfirmon se do t’i rihapë mbledhjet për media dhe OJQ

Menaxhuesi i sistemit prokurorial të Kosovës – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), tash e një kohë nuk ua ka bërë të mundur pjesëmarrjen fizike mediave dhe shoqërisë civile në mbledhjet e mbajtura.

Këto të fundit këto mbledhje kanë mundur t’i përcjellin takimet e KPK-së vetëm online.

Por kjo situatë, e cila ka filluar prej kohës së pandemisë, do të ndryshojë që nga mbledhja e ardhshme.

Kjo për shkak se renovimi i sallës është afër fundit.

“Anëtarët e KPK-së janë fizikisht të pranishëm në mbledhje, vetëm mediat dhe shoqëria civile për shkak të renovimit të sallës nuk kanë mujtë me marrë pjesë asnjëherë pra prej pandemisë e tutje, edhe tash salla lart te Prokuroria Speciale janë edhe disa cikërrima, ajrim e disa sende të vogla dhe d.m.th. do të jenë të pranishëm mediat dhe shoqëria civile” – ka konfirmuar përmes telefonit Bedri Gashi, ushtrues detyre i udhëheqësit të Zyrës për Komunikim Publik të këtij institucioni.

Më detajisht në përgjigjen me e-mail Gashi ka treguar se renovimi do të sjellë edhe rritjen e kapaciteteve të sallës ku do të mbahen mbledhjet e KPK-së.

“Mundem me konfirmu se nga mbledhja e ardhshme do të jeni të pranishëm” – qartësoi përmes telefonit Gashi.

Obligimi për transparencë dhe llogaridhënie është prej më të rëndësishmëve për këtë institucion.