
Këshilli i Prindërve të shkollës ‘Faik Konica’ në Prishtinë protestojnë ndaj mosfillimit të mësimit
Këshilli i Prindërve të shkollës “Faik Konica”, në Prishtinë po protestojnë në oborrin e kësaj shkolle për të shprehur pakënaqësinë e prindërve dhe nxënësve ndaj mosfillimit të procesit mësimor.
Fatbardha Sheholli, anëtare e Këshillit të Prindve të Shkollës ka thënë se protesta është si kërkesë që të fillojë urgjentisht mësimi.
“Kemi hubmur shumë, dëshirojmë që urgjentisht të fillojë procesi mësimor. Fajtorin nuk jemi duke e kërkuar, por ne dojmë vetëm që të fillojë mësimi. Le t’i gjejnë mënyrat e veta për grevë, ne dojmë me fillu procesi mësimor. Boll u bë mo”- ka thënë ndër të tjera Sheholli.
Që nga 25 gushti ka filluar greva e përgjithshme nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Disa nga kërkesat e BSPK-së janë rritja e pagës për 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh më 2014.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se greva nuk do të ndalet.
SBASHK: Kryeministri dhe Qeveria nuk janë të interesuar për tejkalimin e situatës, greva vazhdon