
Protesta në Mitrovicë të Veriut për viktimat në Novi Sad, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Sërish protestë anti Vuçiq në Mitrovicë të Veriut
Dhjetëra qytetarë serbë janë mbledhur në Mitrovicë të Veriut dhe kanë mbajtur 15 minuta heshtje si shenjë proteste për personat që vdiqën nga shembja e çatisë së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad më 2024.
Më 12.03.2025 në orën 11:52 filloi protesta pranë Fakultetit Filofozik, ku qytetarët kishin në duart e tyre pankaratat me mbishkrime “Populli kërkon vetëm drejtësi”.
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Ndërkaq më 11.03.2025 në kuadër të protestës masive të studentëve në Serbi, ndërtesa e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS) në Beograd është bllokuar dhe në një moment protestuesit janë përleshur me Policinë.
Protestuesit kanë bërë të ditur se bllokada para ndërtesës së RTS-së do të zgjasë për 22 orë.
“Sonte jemi përshkruar si bandë nga një moderator i RTS-së. Prandaj, jemi duke bllokuar ndërtesën e RTS-së sonte. Nuk do të ketë dhunë dhe asnjë ndërhyrje. Të gjithë punëtorët do të mund të largohen nga ndërtesa, por askush nuk mund të hyjë.” – kanë thënë studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Beograd.
Përmes bllokadave dhe protestave, studentët po kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për vdekjen e 15 personave, si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Beta ka raportuar se disa studentë kanë shkuar në Koshtunjak, një lagje në Beograd, me synim të bllokimit të studios tjetër të RTS-së, prej së cilës mund të ketë transmetim programesh.
Policia ka thënë se do të intervenojë vetëm nëse protestuesit përpiqen të hyjnë në ndërtesë me forcë.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Policia nuk ka vepruar kundër protestuesve, por që ajo është sulmuar; ndonëse në pamjet në rrjetet sociale shihet qartë se Policia i ka sulmuar dhe rrahur studentët dhe qytetarët tjerë – ka raportuar Beta.
Një zyrtar policor është plagosur, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se plaga e tij e rëndë në sy është shkaktuar nga protestuesit, të cilët i ka quajtur “anëtarë të pleniumit bolshevik”.
Beta raporton se pamjet në rrjetet sociale tregojnë se zyrtari policor i plagosur ka qenë me veshje civile në protesta dhe ka mundësi të jetë plagosur nga kolegët e tij në uniformë.
Marshet masive të organizuara nga studentët në shumë qytete të Serbisë kanë qenë paqësore dhe nuk është raportuar për incidente.
Përmes bllokadave dhe protestave, studentët janë duke kërkuar publikimin e të gjithë dokumentacionit për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, për të vërtetuar se kush është përgjegjës për aksidentin.
Protestuesit kërkojnë edhe ndjekjen penale të personave të cilët kanë sulmuar protestuesit, si dhe pezullimin e procedurave kundër atyre të cilët janë arrestuar gjatë demonstratave.
Qeveria pretendon se i ka plotësuar kërkesat e studentëve, derisa një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit i ka mohuar këto pretendime përmes një Raporti.
Studentë prej shumë pjesëve të Serbisë veçse janë nisur drejt Beogradit, në një protestë të re që është planifikuar më 15 mars.
Ndryshe, në Mitrovicë të Veriut nuk është kjo e vetmja protestë që u mbajt për ngjarjen e nëntorit të vitit 2024 ku ndodhi fatkeqësia në Novi Sad.
Fillimisht ata u mblodhën të premten, më 24.01.2025. Poashtu protestuan edhe të hënën më 27.01.2025 afër Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut.
Më 24.01.2025, pas 15 minutash heshtje, protestuesit brohoritën “Vuçiqi në burg”.
Të pranishëm ishin ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radimiroviq dhe lideri i partisë “Demokracia Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq.
‘Vuçiqi në burg’ – thirrja e protestuesve serbë në Mitrovicë të Veriut