SBASHK: Kryeministri dhe Qeveria nuk janë të interesuar për tejkalimin e situatës, greva vazhdon

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka njoftuar se do të vazhdojë greva e nisur para një muaji.

SBASHK ka thënë se kryetarët e Këshillave Greviste komunale dhe të universiteteve dhe ata të shoqatave sindikale të Federatës së shërbyesve civilë kanë pritur që gjatë këtij vikendi Qeveria e Kosovës të angazhohet dhe përkushtohet që të ketë takime me Këshillin Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme, porse me deklarata e sotme e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se “sindikalistëve të PAN-it iu ka ndaluar koha në qershorin e vitit 2017”, ka krijuar përshtypje tjetër te grevistët.

“Deklarimi i Kryeministrit Kurti duke mos pasur as edhe një argument të bazuar se sindikalistët janë të PAN-it ka krijuar indinjatë të grevistët” – thuhet në njoftim.

Tutje, Sindikata tha se kjo deklaratë ka dëshmuar se kryeministri dhe Qeveria as tani nuk janë të angazhuar e të interesuar për tejkalimin e situatës në gjithë sektorin e arsimit dhe te shërbyesit civilë.

“Krijohet përshtypja se në vend të angazhimit për takime e arritjen e marrëveshjes së pranueshme Kryeministri dhe Qeveria sikur po angazhohen e dhe sikur kanë dëshirë që greva të vazhdojë” – thuhet tutje.

Sipas SBASHK-ut, grevistët janë të zhgënjyer nga këto deklarime të kryeministrit.

Prandaj, Sindikata ka thënë se pjesëmarrësit e takimit janë shprehur se kjo mungesë e vullnetit të kryeministrit e Qeverisë për dialog dhe injorimi i kërkesave legjitime të grevistëve po bën që greva të vazhdojë edhe në ditët ne vijim.

“Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë përgëzuar grevistët të cilët, edhe përkundër presioneve të vazhdueshme ndaj tyre, por vazhdojnë të qëndrojnë me dinjitet dhe unik në përpjekjet për realizimin e kërkesave të tyre legjitime” – thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.