Foto: KALLXO.com

Protestë kundër shtrenjtimit të rrymës

Në Prishtinë më 05.04.2025 është mbajtur një protestë qytetare kundër propozimit për shtrenjtimin e rrymës për 15%, vendim i cili është paralajmëruar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Protesta, e thirrur nga iniciatiava qytetare “Asnji cent ma shumë”, ka mbledhur një numër të madh qytetarësh.

“Jo më padrejtësi në emër të energjisë !”, “Ndal varfërimit të qytetarëve!”, “S’ka dritë me padrejtësi”, “Qeveri, a je me qytetarët apo me monopolin?”… shkruante në pankartat që mbanin në duar protestuesit.

Protesta ka nisur nga sheshi ‘Skënderbeu’.

“Duke e pasur parasysh që jemi populli më i varfër në Europë, populli i cili është i zhytur në kredi dhe borxhe, nuk e meriton nga asnjë institucion, nga asnjë qeveri, që t’i vështirësohet edhe më tepër jeta. Kërkesa jonë ndaj ZRRE-së dhe ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe gjithë akterëve të tjerë është shumë konkrete dhe e qartë: të pezullohet vendimi i shtrenjtimit për 15% i energjisë elektrike siç është paralajmëruar” – ka thënë Besnik Shabiu, organizator i protestës.

Protesta ka përfunduar dhe protestuesit kanë lënë pankartat te hyrja e Ministrisë së Ekonomisë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka njoftuar më 14.03.2025 për propozimin për shtrenjtimin e rrymës për 15% në Kosovë, pas dorëzimit të raporteve të Kompanive KOSTT, KEDS dhe KESCO, në lidhje me të hyrat maksimale të lejuara.

Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në një deklaratë në “Kallxo Përnime” më 14.03.2025 kishte deklaruar se rritja e çmimit të rrymës nuk mund të shmanget për dy arsye.

“Rritja është e pashmangshme për shkak të kostove që kanë ndodhë. Përafërsisht 15% pritet me u rritë.” – ka deklaruar Pepaj.

“Janë dy shkaktarë kryesorë që e kanë pru këtë kosto: është mungesa e gjenerimit që ka qenë në vend; edhe në burime të ripërtëritshme që ka pasur në vend ka pasur mungesë të gjenerimit, edhe çmimet e importit. Këto e kanë shkaktuar rritjen e çmimit.” – tha ai.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është kundërshtuar nga shoqëria civile në Kosovë, si nisma “Asnjë cent më shumë”, partitë politike si LDK, AAK dhe PDK.

Po ashtu, edhe Presidenca e Kosovës më 28.03.2025 përmes një komunikate për media, ka kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, nën arsyetimin se ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore, që e obligon Zyrën e Rregullatorit Ekonomik (ZRRE) të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.

Kurse, Ministria e Ekonomisë ka propozuar që rritja e çmimit të rrymës të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kwh.

Foto: KALLXO.com