A do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, flet kryetari i ZRRE-së

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka miratuar sot (22.03.2024)  të hyrat maksimale të lejuara për KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n për periudhën prill 2024 – prill 2025.

78.86 milionë euro janë të hyrat maksimale të lejuara për KOSTT-in për 2024-2025; 120.59 milionë euro për KEDS-in dhe 399.6 milionë euro për KESCO-n.

Kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha se miratimi i këtyre të hyrave maksimale do të reflektohet në faturat e qytetarëve të Kosovës.

“Të hyrat të cilat ne i miratuam për tre të licencuarit tanë do të reflektohen në tarifat e konsumatorëve fundor për 2024-2025. Të hyrat maksimale për të gjithë sistemin e rregulluar është 399.6 milionë euro dhe kjo do të reflektohen në tarifat fundore në mbledhjen e ardhshme pas pranimit të aplikacioneve të KOST-it, KEDS-it, KESCO-s. Në mbledhjen e ardhshme do të dimë saktë sa do të jenë tarifat për vitin 2024-2025”- tha Ymeri.

Kryetari Ymeri tha se në këtë fazë nuk kanë marrë për bazë kërkesën e Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, për rritje të çmimit të megavatit për KOSTT, KEDS dhe KESCO.

Ai deklaroi se kërkesa e KEK-ut nuk ka përmbushur procedurat sipas legjislacionit në fuqi.

“Ne thamë që në këtë fazë nuk është marrë parasysh kërkesa e KEK-ut sepse kjo kërkesë nuk i ka përmbushur procedurat sipas legjislacionit në fuqi. ZRRE në mungesë të një marrëveshje në mes të KEK-ut dhe tre të licencuarve tjerë, ka marrë për bazë marrëveshjen që ka qenë”- deklaroi ai.

Korporata Energjetike e Kosovës në komentet e saj në raportet konsultative për lejimin e të hyrave maksimale për KEDS, KESCO dhe KOSTT, thotë se  “Inkurajon ZRRE-në që në të hyrat e lejuara maksimale për palët KEDS, KESCO dhe KOSTT të përfshijë koston reale për blerje të energjisë elektrike nga KEK-u”.

Çmimet e rishikuara për KEK për periudhën e cila fillon nga data 01.04.2024 deri 31.03.2025 janë për FSHU (KESCO) 31.50 euro ndërsa për KOST dhe KEDS-in 39.10 euro për MWh.

 

Miratohen të hyrat maksimale të lejuara për KOSTT, KEDS dhe KESCO