Kërkohet shtrimi në spital në Hagë i Ratko Mlladiçit

Mbrojtja e Ratko Mlladiçit bëri thirrje që ish-komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës të transferohej me urgjencë nga Njësia e Paraburgimit e Kombeve të Bashkuara në një spital në Hagë sepse shëndeti i tij ka vazhduar të përkeqësohet.

Ekipi mbrojtës i Ratko Mladiçit tha për BIRN të mërkurën se ish-komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i cili po apelon kundër dënimit të tij për gjenocid dhe krime të tjera lufte, duhet të shtrohet menjëherë në spital në Hagë sepse gjendja e tij shëndetësore tani është “katastrofike”.

Avokati mbrojtës Branko Lukiç shpjegoi se mjekë nga Serbia dyshojnë se Mlladiç ka hemorragji të brendshme dhe pretenduan se mjekët në Njësinë e Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara “thjesht nuk po reagojnë”.

“Ne nuk marrim më as raporte që supozohet t’i marrim rregullisht, kështu që nuk kemi një pasqyrë të qartë. Thjesht shohim se ka diçka që nuk shkon dhe dokumentacioni, i cili tani është i vjetëruar, tregon se gjendja e tij është katastrofike dhe ne mendojmë se ajo po përkeqësohet çdo ditë”, tha Lukiç.

“Kjo është arsyeja pse kërkuam që ai të trajtohej jashtë Njësisë së Paraburgimit pasi është e qartë se aty ai nuk merr kujdesin e duhur shëndetësor”, pohoi ai.

Mbrojtja paraqiti të martën një kërkesë pranë Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare për të kërkuar shtrimin në spital të Mlladiçit.

Një tjetër anëtar i ekipit të mbrojtjes, Miodrag Stojanoviç, tha se Mlladiç aktualisht po trajtohej në infermierinë e Njësisë së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara.

Mbrojtja ka kërkuar vazhdimisht gjatë viteve të fundit që Mlladiç të dërgohet për trajtim në Rusi, por kjo është hera e parë që është kërkuar që ai të shtrohet në Hagë, afër Njësisë së Paraburgimit, tha Stojanoviç.

“Ai është i dobët, ka rënë nga pesha, nuk ha dot, nuk qëndron dot në këmbë për shkak të anemisë, kështu që gjendja e tij shëndetësore është shumë, shumë e rëndë”, shtoi ai.

Në një kërkesë të mëparshme të bërë në gjykatë, mbrojtja argumentoi se Mlladiç duhej të shtrohej në spital në mënyrë që të stabilizohej anemia e tij dhe për shkak të niveleve të tij të ulëta të hemoglobinës.

Mbrojtja pretendoi se ekspertë mjekësorë nga Serbia dhe SHBA-ja ranë dakord se nevojitej shtrimi në spital, sepse rënia e niveleve të tij të hemoglobinës ishte “një çështje serioze që tregon për një gjendje vdekjeprurëse dhe për këtë arsye kërkon një vëmendje urgjente”.

Por kryesekretari në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare argumentoi në një mocion të paraqitur të shtunën se kërkesa e mbrojtjes duhej të refuzohej.

Kryesekretari Elias Olufemi tha se ishte i bindur se kryesekretari, Njësia e Paraburgimit dhe ekipi i saj mjekësor “nuk ia kanë mbajtur të fshehta informacione mjekësore z. Mlladiç dhe se ata i kanë përmbushur të gjitha detyrimet e tyre për raportimin që i bëhet atij”.

“Unë jam gjithashtu i kënaqur që kujdesi mjekësor që merr z. Mlladiç është i përshtatshëm dhe ka për qëllim adresimin e shpejtë të çdo shqetësimi shëndetësor që ai mund të ketë”, shtoi Olufemi.

Mlladiç, i cili është 77 vjeç, ka pasur disa probleme të rënda mjekësore gjatë mbajtjes në paraburgim në Holandë dhe ka pësuar infarkte dhe një atak në zemër.

Gjykata e dënoi Mlladiçin me burgim të përjetshëm në nëntor 2017, duke e shpallur atë fajtor për gjenocid në Srebrenicë në 1995, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe pengmarrje të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Mlladiç e apeloi vendimin, njësoj si edhe prokuroria e Hagës, e cila po bën thirrje që ai të shpallet fajtor për gjenocid edhe në gjashtë komuna të tjera gjatë vitit 1992.

Muajin e kaluar, gjykata shtyu seancat e apelit deri në një njoftim të mëtejshëm për shkak të kufizimeve të udhëtimit të vendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Seancat e apelit ishin shtyrë tashmë edhe një herë para këtij viti sepse ish-shefi ushtarak serb i Bosnjës duhej t’i nënshtrohej një operacioni në zorrën e trashë.

Presidenti i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë, Carmel Agius, informoi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën se vendimi i formës së prerë në gjyqin e Ratko Mlladiçit do të jepet në vitin 2021.