Prizren

Kërkohet paraburgim ndaj pesë zyrtarëve të arrestuar në Komunën e Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve: C.C., I.R., A.I., R.D., Sh.A., për shkak se dyshohet se nuk ua kanë dorëzuar në tërësi materialin ndërtimor disa familjeve skamnore ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit “Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit”.

Sipas Prokurorisë, me këtë vepër i është shkaktuar dëm komunës së Prizrenit në vlerë prej 13 mijë e 283 euro.

Sipas kërkesës së prokurorisë, të dyshuarit si persona zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetrin apo që tu shkaktojnë dëm personave tjerë.

Kjo dyshohet se ka ndodhur që nga fillimi i muajit dhjetor 2021 e deri me datë 25.07.2022.

Të dyshuarit janë: C.C., ish-Koordinator në Zyrën për Komunitet dhe Kthim në Komunën e Prizrenit, I.R., Menaxhere e Zyrës për Komunitet dhe Kthime në Komunën e Prizrenit, A.I., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit, R.D., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit dhe Sh.A., Drejtor i Ndërmarrjes “B-A.” Sh.P.K, me seli në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit.

Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Po ashtu, të njëjtit si persona zyrtar në dokumentin zyrtar shënojnë të dhëna të rreme ose nuk i shënojnë të dhënat e duhura, apo me nënshkrimin e tyre ose me vulën zyrtare vërtetojnë dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që në periudhën kohore të lartcekur, me rastin e dorëzimit të materialit ndërtimor për përfituesit B.D., A.K., B.R., dhe L.U., nënshkruajnë në emër të tyre, edhe pse në fakt përfituesit nuk e kanë pranuar në tërësi ose fare materialin ndërtimor. Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas KPRK-së.