Prizren, Asamblisti i LVV-së akuzon drejtorin lokal për keqpërdorime me familjet skamnore

Përplasje fjalësh e tone të larta janë shkëmbyer sot në Kuvendin Komunal në Prizren.

Karanfil Haxhillari, nga LVV akuzoi Drejtorin Komunal për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fejzë Kabashi (LDK) për keqpërdorime me ndihmat për familjet skamnore.

Haxhillari ngriti dyshime për ndarje të padrejtë të ndihmave, përkatësisht materialit ndërtimor për renovimin e shtëpive të familjeve skamnore.

“Nga të gjithë aplikantët 19 kanë fituar në zonën e Hasit, nga të gjithë 59 fituesit,  Kjo i bie se çdo i 3-ti fitues është nga Hasi, përderisa kemi Rajone kur ka vetëm nga 1 fitues përkundër shumë aplikimeve “ , tha ai.

I njëjti shtoi se ka pasur përfitues të tillë që kanë përfituar shtëpinë e 3-të, ndërsa një grua nga Krusha  e Vogël, aplikante e dëmtuar që nga lufta me 5 familjarë nuk kishte përfituar.

“Skandaloz të ndahen skamnorët nga votues të mundshëm “ përfundoi kuvendari i VV-së.

Në anën tjetër, Drejtori  Kabashi që udhëheq me drejtorinë e Punës dhe Mirëqenies sociale tha se akuzat janë të pabaza dhe se komisioni është formuar nga Kryetari i Komunës, i cili tha se nga 446 aplikues ka pasur ankesa në vetëm 3 për qind të rasteve.

Haxhillari tha se nuk do të përmend emra në Kuvend , por kjo nuk nënkupton se nuk do të përmend emra në Prokurori, të cilën e ftoi  të hetojë këtë  “ proces skandaloz“.

E i gjithë debati ndërmjet tyre u zhvillura për faktin se kush ku i ka votat e mundshme, se cili subjekt ka më shumë vota në cilat rajone.

Kallxo.com ka raportuar se asamblistët e Prizrenit sot janë pajisur me lap top të rinj, e të cilët kur erdhën në mbledhje filluan të uronin njëri tjetrin.

https://kallxo.com/deputetet-e-prizrenit-i-testojne-laptopet-luksoze/