Kërcënon gjyqtarin, arrestohet i dyshuari

Një seancë gjyqësore e mbajtur ditë më parë ka qenë sherri i cili përfundoi me kanosje e arrestim.

Një gjyqtar i Gjykatës Themelore dega në Vushtrri është kërcënuar nga një person ditë më parë.

Si pretekst i kërcënimit është përdorur një seancë gjyqësore e të dyshuarit me bashkëshorten e tij.

Në raportin policor thuhet se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Skënderbeu” në Vushtrri dhe se gjyqtari është kërcënuar përmes rrjetit social Facebook.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime për arrestimin e të dyshuarit. Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë se arrestimi është bërë gjatë ditës së djeshme.

“Pasi është bërë identifikimi i të dyshuarit përmes rrjeteve sociale, gjatë ditës së djeshme i njëjti është arrestuar dhe intervistuar nga policia. I dyshuari ka kanosur gjyqtarin duke gjetur si pretekst një seancë gjyqësore që është mbajtur më herët”, tha Zahiti për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se në lidhje me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.

Me urdhër të këtij të fundit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.