Kërcënohet redaksia e portalit 'Periskopi', reagon AGK-ja

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se gazeta online “Periskopi”, ka marrë një e-mail kërcënues rreth publikimit të artikullit të titulluar “Nëntë punonjës të Fakultetit të Mjekësisë marrin rrogë në QKUK pa punuar fare”.

Sipas AGK-së, në emailin e pranuar më 15 janar, kërkohet largimi i artikullit me porosinë: “ju gazetarët kujdes me shkrime sepse shumë gazetarëve po jau heqin kryt për shkrime ose po jau zajn peng familjaret. ma mire duje pa problem se paret per klikime e me probleme familjare”, shkruan në një pjesë të mesazhit.

AGK-ja, është shprehur e shqetësuar me kërcënimin e bërë ndaj redaksisë së këtij portali dhe ka ftuar Policinë e Kosovës që urgjentisht të hetojë prej nga vjen kërcënimi dhe të marrë masat e duhur për të ofruar siguri për gazetarët e këtij mediumi.

“Gjithashtu, ftojmë Prokurorinë dhe organet e tjera të drejtësisë që të bëjnë punën e duhur për të trajtuar rastin”-  thuhet tutje në njoftim.