Kelani: Janë njoftuar KFOR-i dhe të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë

Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë janë njoftuar KFOR-i dhe të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se kanë kërkuar të bëhet trysni autoriteteve të Serbisë që policët të kthehen te familjet e tyre.

“Të gjitha informacionet janë shkëmbyer dhe janë nda edhe me partnerët tanë, që janë KFOR-i. KFOR është njoftuar dhe jem duke i koordinuar të gjitha aktivitetet me ta dhe janë duke kryer edhe ekzaminimet në terren. Janë njoftuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtar duke kërkuar që t’u bëhet trysni autoriteteve të Serbisë që zyrtarët tanë të kthehen te familja e tyre” – ka thënë ai.

Kelani në një konferencë për media ka thënë se komunikimet mes Policisë së Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë bëhen përmes mekanizmave ndërkombëtar.

“Komunikimet mes Policisë së Kosovës dhe autoritetet e Serbisë bëhet përmes mekanizmave ndërkombëtar dhe këtë ne e kemi shfrytëzu mekanizmat që t’i adresojmë kërkesat tona në mënyrë qe zyrtarët policorë te kthehen shendosh e mirë në Kosovë”- ka thënë ai.

Kelani ka bërë të ditur që tre zyrtarët policorë të kidnapuar sot janë zyrtarë kufitarë patrullues dhe jo zyrtarë të njësiteve speciale.

Ai i ka quajtur të rrejshme deklarimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq lidhur me këtë çështje.

Policia e Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë patrullues ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani mohoi se zyrtarët policorë të kenë qenë në territor të Serbisë, siç ka pretenduar pala serbe.