KEDS kërkon nga qytetarët të paguajnë për rrymën e shpenzuar

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka kërkuar nga qytetarët që t’i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sepse, në të kundërtën, rrezikohet furnizimi me energji elektrike.

“Mospagesa rrezikon furnizimin me energji elektrike. Situata e fundit pandemike është duke e rrezikuar edhe funksionalitetin e #KEDS-it dhe #KESCO-s. Kjo, pasi kanë rënë në minimum pagesat e energjisë elektrike, duke e bërë të pamundur mbulimin e shpenzimeve”, thuhet në njoftimin e KEDS.

Sipas KEDS në Kosovë ekziston një zinxhir i kompanive elektroenergjetike të cilat krijojnë kosto secila në bazë të shërbimeve që i ofrojnë.

“Në Kosovë ekziston një zinxhir i kompanive elektroenergjetike të cilat krijojnë kosto secila në bazë të shërbimeve që i ofrojnë. Në fund e tërë barra e shlyerjes së obligimeve bie ndaj KESCO-s, si hallka e fundit dhe KEDS si e parafundit”, thuhet tutje aty.

KEDS thotë se shumëherë për shkak të pamjaftueshmërisë së energjisë elektrike kompania është e detyruar ta importojë atë.

“Të njëjtën kohë, energjia elektrike vendore shpesh nuk mjafton, duke detyruar kompaninë të importojë për t’i plotësuar nevojat e konsumatorëve. Pastaj kosto tjetër e shtuar është edhe ajo e transmisionit. Në fund janë operimet e vet kompanisë, duke e pasur parasysh mirëmbajtjen dhe investimet në rrjetin distributiv, pagesat për rreth 2200 punëtorë e shpenzimet tjera operative”, thuhet tutje në reagim.

Sipas kompanisë, pagesa e energjisë elektrike është jetike në këtë situatë kur vendi po përballet me pandeminë e coronavirusit.

“Pagesa e energjisë elektrike është jetike për mbarëvajtjen e furnizimit. Apelojmë tek të gjithë konsumatorët që të paguajnë obligimet e tyre në mënyrë që të ruhet kontinuiteti i shërbimeve. Ne presim zgjidhje dhe mbështetje edhe nga Qeveria e Kosovës, pasi situata e pagesave është rënduar së tepërmi pas tendencës për shtyerje të pagesave në bazë të deklarimeve publike të bëra po nga qeveria”, theksohet në komunikatë.