KEDS-i instalon detektor për lokalizmin e prishjeve në linjën Prizren-Zhur

KEDS-i ka integruar një pajisje të veçantë për detektimin e prishjeve në linjën Prizren – Zhur.

Sipas njoftimit të KEDS, linja e Tensionit të Mesëm 35 kV është bërë nga qyteti i Prizrenit deri në fshatin më të madh të Kosovës Zhur.

“Më herët, kur në këtë linjë paraqitej ndonjë defekt, ekipet detyroheshin ta përcjellin në këmbë komplet gjatësinë e saj dhjetëra kilometërshe në mënyrë që të lokalizohej ajo, ndërkaq tash defekti do të lokalizohet në momentin që ndodh, përmes monitorimit nga disatanca”, thuhet në njoftim.

Sipas KEDS-it, kjo linjë do të ndikojë në zvogëlimin e kohëzgjatjes së ndërprerjeve të energjisë, lokalizimin e shpejtë, rritjen e efikasitetit dhe intervenimin e menjëhershëm nga ekipet e KEDS.

“Pajisja elektronike do të monitorojë gjatë tërë kohës linjën ajrore dhe do të ofrojë informacion të saktë rreth avarisë në Qendrën Kryesore të Kontrollit – SCADA ndërkaq indikatorët e instaluar në një pozicion strategjik, do të mundësojnë që ekipet lehtësisht ta shohin nga distanca përmes dritës (LED) vezulluese që do të ndezët”, thuhet tutje.

KEDS-i ka njoftuar se në rast se defekti ka ndodhur midis nënstacionit të furnizimit dhe vendit se ku janë vendosur indikatorët atëherë do të nënkuptohet që prishja ka ndodhur në atje pjesë.

“Pra, në momentin që ndodh ndonjë e papritur, në qendrën SCADA do të pranohet një mesazh alarmi, i cili do të ofrojë informata të sakta rreth ndodhisë në rrjet”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

KEDS ka shtuar se do të vazhdojë instalimin e detektorëve edhe në linjat tjera problematike ndërsa mbetet e përkushtuar që të ofrojë shërbime sa më kualitative të furnizimit me energji për konsumatorët.