Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Katër gra viktima të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Katër raste të dhunës në familje, me viktima gra, janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit.

Në Prishtinë është arrestuar një burrë nën dyshimin se, më 15.02.2025, kishte ushtruar dhunë ndaj një gruaje me të cilën bashkëjeton.

Sipas Policisë, viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor. Derisa, me vendim të Prokurorit, pas intervistimit pala është liruar dhe rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.

Në një rast tjetër në Kryeqytet po ashtu është shoqëruar në Stacionin Policor një burrë nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Pas intervistimit me vendim të Prokurorit, palët janë liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Derisa në Podujevë është arrestuar një burrë, pasi i njëjti i kishte shkaktuar presion psikik nënës së tij.

Sipas Raportit policor, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Kurse, në Vushtrri u raportua se një grua pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Policia njofton se nuk raportohet për të lënduar e as për të arrestuar, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar Prokurori.