Revole të sekuestruara nga Policia e Shtetit (Foto arkiv)

Kapen armë e drogë në Shkodër, 3 të arrestuar

Policia e Shkodrës ka goditur një rast tjetër të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve narkotike.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa të rinj dispononin lëndë narkotike si dhe në banesa mund të kishin edhe armë zjarri, Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me specialisët për hetimin e narkotikëve kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Buna”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. Sh., 22 vjeç, E.M., 21 vjeç, dhe E.V., 31 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi B.Q., 23 vjeç, banues në Shkodër, njofton Policia e Shtetit.

Në vendin e quajtur “Ura e Vjetër” e Bunës, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, kanë bërë bllokimin e mjetit tip “Volkswagen”, më të cilin udhëtonin këta shtetas dhe gjatë kontrollit fizik të tyre, policia gjeti në xhepin e xhupit të shtetasit M. Sh., një peshore të vogël elektronike, një qese me një masë kristalore e dyshuar si lëndë narkotike kokainë, dy pilula të dyshuara ekstazi dhe një sasi e dyshuar si lëndë narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Operacioni vijoi me kontrollin e banesave të këtyre shtetasve, ku rezultoi se në banesën e shtetasit E.V., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri pistoletë, një sasi fishekësh dhe një krehër, ndërsa në banesën e shtetasit E.M., policia gjeti dhe sekuestroi edhe një sasi tjetër lënde narkotike kanabis.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje armëve dhe i municionit”, njofton Policia e Shtetit.