Foto: KALLXO.com

Kandidati Kolaj: Me urën e Rogovës në Gjakovë është luajtur ping-pong, unë do ta përfundoj brenda 2 vitesh

Kandidati për kryetar të Gjakovës, Ferdinand Kolaj nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, ka premtuar se urën e Rogovës në Gjakovë do ta përfundojë brenda 2 vitesh, teksa ka akuzuar qeverisjen e deritanishme për mos përfundimin e projektit.

“Sa i përket urës në Rogovë ajo është e dëmtuar, është një investim shumë i madh, aty është bërë njëfarë ping-pongu herë Qeveria, herë komuna, hiqe ai, e qite ky , por sido që të jetë në qeverisjen time do të buxhetohet dhe do të përfundohet brenda dy vitesh”, tha ai.

Kolaj ka shtuar se mungesa e trotuareve është shumë e madhe në Gjakovë.

“Është e domosdoshme të kemi trotuare edhe për shkak të sigurisë të qytetarëve që lëvizin nëpër ato rrugë, si dhe ka nevojë që ndriçim publik të ketë gjithandej”, u shpreh ai.

Kurse, kandidati nga AAK-ja dhe kryetari aktual, Ardian Gjini ka thënë se kanë vendosur që ta vetëfinancojnë pasi Qeveritë e kaluara dy herë e kanë hequr nga buxheti.

“Nëse e doni urën e Rogovës votojeni buxhetin”, u tha ai kundërkandidatëve.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës: Arbënesha Kuqi nga PDK; Ardian Gjini nga AAK; Fazli Hoxha nga Nisma Socialdemokrate; Ferdinand Kolaj nga PShDK; Mimoza Kusari Lila nga LVV dhe Teki Shala nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjakovës: Genta Domi Hoxha nga LDK; Lirianda Dahsyla nga PDK; Nita Efendia Brovina nga AAK; Saranda Alimusaj nga Nisma Socialdemokrate; Time Hasani nga LVV dhe Valerije Kola nga PShDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.