Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i LDK-së: Me mua kryetar, Dragashi do të jetë qyteti më i pastër në Kosovë 

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, në “Debat Përnime” është zotuar se nëse fiton në balotazh, Dragashin do ta bëjë një ndër qytetet më të pastra në Kosovë.

Ai këtë premtim e dha derisa ka folur për përmirësimin e shërbimeve publike në këtë komunë.

“Zotohem para qytetarëve se Dragashin do ta bëj një ndër qytetet më të pastra në Kosovës, përndryshe tani është qyteti më i ndotur. Nuk është punë e vështirë kjo”, tha ai.

Xheladini ka shtuar se do të zgjidhë edhe problemet me ujësjellësin dhe kanalizimin.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Dragashit, po diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Dragash: Bexhet Xheladini nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini ka marrë 35.7% të votave kurse Shaban Shabani i Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë 32.6%.