Kuvendi

Kalon projektligji për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve

Projektligji për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve është votuar në parim nga deputetët me 74 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se planifikojnë të rregullojnë mënyrën e funksionimit dhe përcaktimit të masave dhe procedurave dhe udhëzimeve për të parandaluar apo zvogëluar efektet negative në mjedis.

“Për hartimin e këtij Projektiligji janë konsultuar ekspertët e Bashkimit Evropian, të nivelit lokal, të nivelit qendror, shoqëria civile, publiku dhe të tjerët. Projektligji është në përputhje me direktivën e BE-së, e cila ka për qëllim të përcaktojë masat, procedurat dhe udhëzimet për të parandaluar dhe zvogëluar efektet negative në mjedis”, ka thënë ministri Aliu.

Sipas tij, pas hyrjës në fuqi të këtij ligji, implementimi i tij nuk ka ngarkesë të madhe financiare.

“Me miratimin e këtij projektligji bëhet fuqizimi i strukturave dhe procedurave administrative të Kosovës për të realizuar planifikimin strategjik në fushën e mjedisit dhe koordinimit mes aktorëve relevant dhe të përqendrohet në përafrimin gradual të legjislacionit të Kosovës me atë të BE”, tha Aliu.

Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se pavarësisht vërejtjeve që ka, do ta mbështesë këtë projektligj. Ai tha se i duhet një konsultim mes institucioneve dhe bizneseve që janë të lidhura me atë sektor.

Besjan Mustafa, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se në parim do e përkrah këtë projektligj.

“Do të kontribuojmë që kosto financiare për sektorin privat, të mos jetë e paarsyeshme”, ka thënë Mustafa.

Albana Bytyqi, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se do e mbështesë këtë projektligj.