Foto: Bajram Ajeti/Facebook

Jep dorëheqje kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë

Bajram Ajeti ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës.

Ajeti ka treguar edhe arsyet e kësaj dorëheqje nga kjo pozitë.

“Pas një rrugëtimi të gjatë si kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, me një fillim jo të lehtë në strukturim dhe aktivitet politik deri në fitoret e njëpasnjëshme në zgjedhjet qendrore dhe lokale, ku u nisën ndryshimet e mëdha, nga fitorja e Llapit në fitore në tërë Kosovën, dorëhiqem nga pozita e kryetarit të Qendrës”, ka thënë Ajeti përmes një postimi në Facebook.

Ai ka deklaruar se kjo dorëheqje vjen në mënyrë që t’i lihet hapësirë të gjitha gjeneratave të reja.

“Dorëhiqem nga pozita e kryetarit të Qendrës për t’a lënë në duar të brezit të ri. Perkushtimin dhe vullnetin ndaj LVV-së do e kem të përjetshëm. Ju falënderoj të gjithëve për besimin, bashkëpunimin dhe rrugëtimin drejtë këtyre fitoreve”, ka thënë më tutje Ajeti.

Në bazë të rezultateve nga balotazhi i 14 nëntorit, komunën e Podujevës edhe për një mandat pritet ta udhëheqë Shpejtim Bulliqi i LVV-së. Bulliqi fitoi edhe një mndat përballë Ekrem Hysenit, kandidatit të LDK-së.