Izraeli thotë se ekziston mundësia që një ushtar i tij ta ketë vrarë gazetaren Shireen Abu Akleh

Ushtria izraelite ka thënë të hënën se ekziston një “mundësi e madhe” që një prej ushtarëve të saj ta ketë vrarë gazetaren e Al Jazeera, Shireen Abu Akleh në muajin maj të këtij viti.

“Ekziston një mundësi e madhe që zonja Abu Akleh të jetë qëlluar aksidentalisht nga të shtënat e IDF-së që u qëlluan drejt të dyshuarve të identifikuar si persona të armatosur palestinezë,” – thanë zyrtarë nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).

Abu Akleh u vra ndërkohë që po e mbulonte një operacion ushtarak izraelit në një kamp refugjatësh në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Palestinezët e kanë fajësuar Izraelin për vrasjen, por Izraeli fillimisht tha se gazetari mund të ishte vrarë nga zjarri i militantëve, dhe më vonë se ishte e pamundur të përcaktohej se kush e kishte qëlluar vdekjen. Rrëfimet palestineze dhe ato nga gazetarët e tjerë në skenë argumentuan që në fillim se ishte e qartë se cila palë kishte qëlluar në gazetaren Abu Akleh.

Tani hetimi izraelit, i cili përfshinte intervista me ushtarë, analiza të vendit të ngjarjes, si dhe audio dhe video regjistrime zbuloi se një ushtar mund ta kishte goditur atë gabimisht gjatë një shkëmbimi zjarri.

“Përfundimi ynë është se nuk është e mundur të përcaktohet pa mëdyshje se cilat të shtëna me armë e vranë gazetaren, por ka një probabilitet më të lartë që ajo të jetë goditur nga një e shtënë e gabuar e një ushtari të IDF-së, i cili nuk e identifikoi atë si gazetare” – tha një oficer i lartë ushtarak izraelit.

Abu Akleh, gazetare palestinezo-amerikane, ishte korrespondente për një kohë të gjatë për transmetuesin Al Jazeera me bazë në Katar dhe ishte e njohur për raportimet e saj në Lindjen e Mesme.

Vdekja e saj ngjalli zemërim. Ajo kishte veshur një jelek antiplumb me shenjën “Press” dhe një helmetë kur u qëllua në kokë më 11 maj. I plagosur mbeti edhe kolegu i saj Ali Samoudi./Deutsche Welle