Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimim e pandemisë. Dëshmitar: Izet Sadiku, ish zëvendës ministër i Shëndetësisë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Izet Sadiku tregon se si u emërua koordinator i karantinës në Qendrën e Studentëve

Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë COVID-19 është duke e dëgjuar rrëfimin e ish-Zëvendësministrit të Shëndetësisë, Izet Sadiku, për menaxhimin e situatës së pandemisë nga Qeveria e Kosovës.

Ish ministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, i cili ka koordinuar karantinën e vendosur në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ka thënë se përgjegjësitë i janë deleguar nga Ministri Arben Vitia dhe lajmërimin për ardhjen e qytetarëve nga jashtë.

“Kompetencat e mia kanë qenë ato që më janë caktuar nga ministri Vitia. Më 19 mars ministri më ka thirrur në një takim ku një ditë më herët qendra e studentëve ishte bërë karantinë dhe menaxhmenti i saj ka kaluar në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Për datën 20 mars jam lajmëruar se do vijë një grup i qytetarëve në mënyrë më të organizuar, kjo detyrë më është dhënë më shkrim për ta vëzhguar këtë situate,” ka thënë Sadiku.

Sadiku tutje ka shtuar edhe për rekomandimet që i ka dhënë se duhet të shtohen në këtë qendër duke shtuar këtu edhe një menaxher që do mbikëqyrte gjendjen brenda konvikteve.

“Më datë 20 mars i kam shkruar një letër ministrit Vitia për situatën dhe rekomandimet që duhet bërë. Më datë 21 jam takuar me Ministrin Vitia dhe i kam rekomanduar caktimin e një menaxheri që ka lidhje me shëndetësinë sepse unë jam zyrtar politik i cili me vendim është bërë më datë 27 mars. Zenel Hisenaj është emëruar zyrtar përgjegjës për qendrën e studentëve dhe hapësirat në karantinë. Gjithashtu kam rekomanduar edhe angazhimin e policisë sepse në fillim nuk ka pasur rregulla, njerëzit janë grumbulluar kanë bërë muzikë si dhe sigurim të materialit të nevojshme për zyrtarë që hyjnë në karantinë, sigurim të pllakatave informuese, krijimi i grupeve vullnetare për shpërndarje të ushqimit në qendër, të vazhdohej me dezinfektim të hapësirave, kam propozuar gjithashtu edhe altoparlantë sepse policia nuk ka hyrë brenda konvikteve, ndihmë psikologjike,” ka shtuar tutje Sadiku.

Pas infektimit me COVID-19 në vend të Zenel Hisenajt, menaxher në karantinë ishte emëruar Valdet Hashani.

Ish menaxheri i kësaj qendre, Valdet Hashani ka dëshmuar dje në këtë komision për menaxhimin në këtë qendër.

Menaxheri i karantinës në Qendrën e Studentëve rrëfen për ditën kur vdiq i riu Agon Musliu