Foto: Facebook / Qendra e Studentëve - Prishtinë

Izet Sadiku: Nga 107 persona të ardhur sot nga Zvicra, 50 janë liruar me rekomandim të Institutit

Zëvendësministri në detyrë i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka njoftuar sot në Kosovë ka ardhur një fluturim nga Zvicra me rreth 107 persona dhe shumica prej tyre janë vendosur në karantinë, në Qendrën e Studentëve.

Sadiku ka shtuar se rreth 50 prej tyre me rekomandim të Institutit janë liruar për në shtëpi.

Personat që janë liruar janë persona mbi 70 vjeç, gra shtatzëna, të mitur në 18 vjeç dhe personat me sëmundje kronike.

“Sot ka ardhë një fluturim prej Zvicrës, janë diku 106-107 persona. Kanë dalë prej karantinës ata që i ka propozu Instituti sipas disa rregullave, personat mbi 70 vjet, nën 18 vjeç, gratë shtatzënë dhe ata që kanë sëmundje kronike shkojnë vetizolim. Duhet me qenë diku rreth 50”, ka thënë Sadiku për KALLXO.com.

Sadiku ka shtuar se edhe nesër do të vij në Kosovë një fluturim nga Turqia me persona që kanë marrë trajtim mjekësor nëpër spitalet e Turqisë.