FOTO: Valeri Qatani - KALLXO.com - 02.07.2024

Ishte duke udhëtuar me motoçikletë kur u arrestua nga policia, flet për KALLXO avokati i Korab Gashit i dyshuar për grabitjen në Suharekë

Ndonëse kishte një urdhërarrest i cili daton që nga 06.12.2023, Korab Gashi sipas avokatit të tij ka qenë në Prishtinë dhe ai nuk është paraqitur te organet e rendit për grabitjen në Suharekë pas ngjarjes së rëndë që i kishte ndodhur vëllait të tij Dukagjinit i cili mbeti i vrarë gjatë një aksioni policor. 

Korab Gashi sot u dërgua në Gjykatën e Prizrenit për t`u ballafaquar me kërkesën e prokurorisë për paraburgimin e tij në lidhje me ngjarjen e cila u regjistrua në nëntor të vitit 2023, konkretisht grabitjen e argjendarisë Diakos 2 në Suharekë. Ai po dyshohet se ka kryer veprat penale të grabitjes dhe ndihmës në grabitje.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e Gashit, Skender Musa i cili është i autorizuar ta përfaqësoj atë në seancat gjyqësore, një nga to që është mbajtur sot për caktimin e masës së sigurisë. 

Prokuroria në Prizren ka kërkuar masën e paraburgimit për Korab Gashin që u arrestua më 01.07.2024. 

Avokati Skender Musa në një bisedë përmes telefonit me KALLXO.com ka thënë se klienti i tij ishte duke vozitur një motoçikletë gjatë kohës sa ishte arrestuar. Sipas tij deri sa ishte në vozitje njësitet policore i kanë dalë para dhe kanë kryer arrestimin. 

“Seanca përfundoi, u mbajt, tash jemi duke e pritur vendimin për masën, është i dyshuar për grabitje dhe ndihmë në grabitje. Prokurroia nuk ishte në gjendje me i shpalos provat, gjykata bëri shkelje të dispozitave të kodit për shkak që është e obliguar që në momentin që kërkon i dyshuari dhe avokati me i pa Cd, kjo për faktin se prokuroria pretendonte se kanë pasur armë luftarake dhe është identifikuar Korab Gashi, ne kërkuam të dijmë se në çfarë pamje dhe ku është identifikuar klienti im, cila është arma që ka në dorë dhe një kërkesë u mohu, ishte e qartë se nuk e kanë atë provë”- tha Musa për KALLXO.com. 

I autorizuar për përfaqëism në gjykatë, Musa tregoi edhe se Korab Gashi nuk kishte pasur ndonjë ftesë për t`u paraqitur në organet e rendit. 

“Nuk kam bisedu për vendin saktë ku u arrestu, pasdite është arrestuar, ka qenë në arrati por për shkak të rastit që ka ndodhur me vëllain e tij nuk ka shku me u dorëzu vullnetarisht, ka qëndru në Prishtinë dhe nuk ka pasur ndonjë ftesë për me shku m`u intervistu apo diçka”- shtoi Musa gjatë bisedës me KALLXO.com. 

Musa tha se nuk ka rezistuar Gashi që të arrestohet gjatë ditë së djeshme. 

“Kam bisedu me Korabin, s`ka pasur rezistencë sepse ky ka qenë me një motor duke udhëtu dhe policia i ka dalë në rrugë dhe e kanë arrestuar s’ka pasur rezistencë por njësia speciale kur të arreston normalisht e rrëzojnë në tokë. Nuk e di, nuk e kam pyet për vendin por ai nuk është dorëzu për shkak të rastit të vëllait të vet”- shtoi tutje Musa. 

Musa vazhdimisht tha se munguan dëshmi të cilat nuk u prezantuan gjatë seancës së sotme e cila u mbajt në Gjykatën e Prizrenit. 

Ai tha se Gashi është mbrojtur në heshtje. 

Korab Gashi është personi i pestë i arrestuar nën dyshimin se mori pjesë në grabitjen e armatosur në Suharekë e cila ndodhi më 22.11.2023.

Ai sot ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake pasi Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar masën e paraburgimit për Gashin, i cili kishte tash e disa muaj që po kërkohej me urdhërarrest.

KALLXO.com ka arritur që të siguroj kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Gashit, i cili u dërgua në Gjykatën e Prizrenit nën masa të rrepta të sigurisë.

Ai u dërgua në gjykatë nën përcjelljen dhe monitorimin edhe të njësisë speciale FIT.

KALLXO.com është para gjykatës ndërsa nuk është lejuar që të hyjë brenda ekipi për shkak të arsyetimeve se rasti konsiderohet me rrezikshmëri të lartë.

Në anën tjetër në dosje përshkruhen të gjitha veprimet që pretendohet se ka kryer Korab Gashi bashkë me pesë persona të tjerë, të pandehur, Bujar Bashën, Besart Istrefin, Leutrim Cakollin dhe Dukagjin Gashin, i cili ishte vrarë gjatë një aksioni të policisë pikërisht në lidhje me grabitjen në Suharekë.

Dosja e prokurorisë shpjegon se më 22.11.2023 në ora 15:45 në qytetin e Suharekës, në rrugën “Brigada 123”, duke përdorur forcën dhe kërcënimin kanë hyrë brenda argjendarisë “Diakos”, grabisin pasuri të paluajtshme nga T. B. dhe A. B.

Gjithmonë sipas dosjes së prokurorisë, Bujar Basha, Besart Istrefi, Korab Gashi, Dukagjin Gashi dhe Leutrim Cakolli që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij.

Tutje dosja përshkruan se të dyshuarit pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat, xhamat dhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturë largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë, tutje në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm.

Vetëm tetë ditë më vonë, ose më saktësisht më datë 30.11.2023, Policia e Kosovës me anë të një aksioni arrin që të arrestoj Bujar Bashën, Besart Istrefin dhe Leutrim Cakollin, ndërsa i pandehuri Korab Gashi arrin t`i shmanget policisë dhe që nga ajo kohë ka qenë në arrati.

Me këto veprime, Gashi dyshohet se ka kryer veprën penale të grabitjes.

Tutje siç thuhet në dosjen e hetimit që ka siguruar KALLXO.com, Gashi me datë 16.11.2023, me dashje kishte ndihmuar, Bashën, Istrefin e Cakollin duke marrë fillimisht me qera një automjet dhe me të shkon në Komunën e Deçanit dhe bën blerjen e automjetit Chervolet, me qëllim që të pandehurit të njëjtin automjet ta përdorin në kryerjen e grabitjes në argjendarin “Diakos” në Komunën e Suharekës.

Më datë 27.11.2023 prokurori i shtetit ka zgjeruar hetimin ndaj të pandehurit Korab Gashi, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer vepër penale të grabitjes.

Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për Gashin duke thënë se edhe pse të njëjtit i dihet identiteti edhe vendbanimi, për shkak të dënimit që i kanoset për këtë vepër penale i pandehuri ka qenë në arrati nga koha e kryerjes së veprës penale dhe prokurori i shtetit më datë 06.12.2023 ka bërë kërkesë për urdhërarrest pasi i njëjti më datë 30.11.2023 i është shmangur arrestimit dhe i pandehuri ka penguar rrjedhën normale të procedurës penale.

Tutje thuhet se, prezenca e Gashit vështirë se do të mund të sigurohej për zhvillimin e procedurës së kësaj çështjeje penale, po ashtu edhe gjatë ditës së arrestimit ka dhënë rezistencë, me ç’rast nga këto rrethana do të pamundësohej zhvillimi normal i procedurës në këtë çështje penale, e duke u bazuar se i pandehuri ka qenë në arrati dhe i kërkuar sipas urdhërarrestit të lëshuar nga gjykata, të njëjtit duhet t`i caktohet masa e paraburgimit dhe me këtë të mos e  pengojë rrjedhën normale të procedurës penale.

Policia arreston Korab Gashin, i dyshuar për grabitjen e armatosur në Suharekë

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e grabitjes në Suharekë mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK