Ish-kryeshefi PTK-së Shyqyri Haxha, në janar pritet të ulet në bankën e të akuzuarit

Gjykata e Prishtinës, ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestarë ndaj ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së,  Shyqyri Haxha, i cili po akuzohet nga Prokuroria, për veprën penale lidhje e kontratave të dëmshme.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, i cili tha se seanca është caktuar për datën 15 janar 2021.

10 vjet pas lidhjes së kontratës 9 milionëshe, është ngritur aktakuzë ndaj ish-shefit të PTK-së, Shyqyri Haxha.

Prokuroria e Prishtinës  përmes një komunikate kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-Kryeshef Ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale lidhja e kontratës së dëmshme.

Prokuroria pretendon se i akuzuari më 16 prill 2010, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojnë dëm material, duke mos marrë aprovimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka lidhur kontratë për faturim të ri me ç’ rast i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së.

Në aktakuzën e Prokurorisë ndaj Haxhës, theksohet se me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës të dates 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën dhe është detyruar të paguajë shumën prej 9 milionë euro si dhe shpenzime tjera të cilat janë bërë lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate, shumë e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj ish-shefit të PTK-së, Shyqri Haxha