Ish-Auditori i BQK-së: Deklarimet e Sokol Havollit janë trillime

Ish-Shefi i Auditimit në Bankën Qendrore të Kosovës, Bezad Halilaj i është kundërpërgjigjur disa akuzave që ka bërë në intervistën për #KallxoPernime, Zëvendës Guvernatori Sokol Havolli.

Halilaj i ka quajtur trillime dhe të ulëta deklarimet e Havollit, deri sa ky i fundit ka thënë se ish-auditori ka tentuar që të bëjë kompromis me gjetjet e auditimit vetëm që të vazhdoj mandatin në BQK.

“Deklarimet e Zëvendës Guvernatorit Sokol Havolli janë trillime të nivelit shumë të ulët, përveç tjerash tingëllojnë sa qesharake po aq edhe naive. Unë dhe z. Havolli nuk kemi ndonjë shok të përbashkët për të cilin ka folur ai. Deklaratat e tij kanë vetëm një qëllim, që të krijojnë justifikime dhe alibi për të fshehur shkeljet dhe parregullsitë ligjore të identifikuara në Raportin e Auditimit të Brendshëm”, thuhet në përgjigjen e Halilajt për #KallxoPernime.

“Dua të sqaroj duke ofruar fakte ndërlidhur me Raportin e Auditimit të Brendshëm, raporti në fjalë është finalizuar dhe i është dorëzuar, menaxhmenit, komitetit të auditimit dhe bordit të BQK-së një vit para se zhvillohej procesi i përzgjedhjes së shefit të auditimit të brendshëm. Një analogji dhe ndërlidhjeve midis raportit të Auditimit të Brendshëm dhe pretendimeve të z. Havolli janë të sajuara dhe tërësisht të pa vërteta”, thuhet tutje në reagimin e Halilajt.

Halilaj pretendon se ka dëshmi dhe argumente të cilat dëshmojnë të kundërtën e asaj që ka thënë Havolli në intervistë në #KallxoPernime.

“Havolli duhet të argumentojë me fakte pretendimet e tij dhe për të njëjtat e ftoj që t’i adresojë te organet kompetente. Për më tepër z. Havolli me deklarimet e tij ka tentuar që në mënyrë artificiale të faktorizoj rolin e tij në këtë proces duke i dhënë vetës epitete dhe merita fallco të cilat nuk i takojnë fare sipas ligjit, sepse roli i tij në përzgjedhjen e Shefit te Auditimit të Brendshëm është i pa përfillshëm. Përzgjedhja e Shefit të Auditimit të Brendshëm sipas ligjit te BQK-së, është në diskrecion të organeve tjera më të larta të BQK-së”, thotë tutje Halilaj.

Ai thotë edhe se pretendimet në lidhje me akuzat e Guvernatorit dhe Zëvendës Guvernatorit të BQK-së kundër Halilajt i ka hedhur poshtë prokuroria nën arsyetimin se janë të pa bazuara.

“E ftoj z. Havolli publikisht që të paraqes argumentet për çdo pretendim që ai mund të ketë në mënyrën e njëjtë ashtu siç unë me stafin e Departamentit të Auditimit të Brendshëm në BQK kemi paraqitur fakte për shkelje dhe parregullsi përmes raporteve të auditimit”, thotë Halilaj tutje.

Në fund ish-auditori i brendshëm i BQK-së, Halilaj përfundon reagimin e tij duke thënë se do të ushtroj padi për shpifje te organet kompetente ndaj Havollit.

Zëvendës Guvernatori i Bankës Botërore të Kosovës, Sokol Havolli ka drejtuar disa akuza ndaj ish-auditorit të brendshëm Bezad Halilaj, duke thënë se i njëjti ishte gati që të largonte nga raporti i auditimit gjetjet e tij nëse i vazhdohej kontrata në BQK.

Sipas Havollit, këtë çështje ia kishte ngritur një mik i përbashkët i tyre gjatë kohës sa po pinin kafe.

“Më thirri një shok në atë kohën e pjesës së zgjedhjes së Auditorit të Brendshëm dhe tha për ish-auditorin “…shok”, thash mirë shumë, tha “është pak i pakënaqur me këtë pjesën e disa gjetjeve që i ka dhe diçka i është vështirësuar komunikimi”, thash normal është me pas komunikim të vështirësuar menaxhmenti me auditorin, është normale. Ai tha “është i gatshëm me i hek ato gjetje nëse ti më thua këtu që ja vazhdoni mandatin””, tregoi Havolli në një intervistë në #KallxoPernime.

Havolli shton se në atë moment kishte vendosur që auditori në atë kohë nuk mund të ketë integritet të mjaftueshëm pasi që kishte bërë kompromise për vazhdim të kontratës së tij.

“Ai është momenti që unë vendosi që auditori nuk mund ta ketë integritetin e mjaftueshëm, sepse për vazhdim të kontratës së vet është i gatshëm me bo kompromise në raport të auditorit”, tregon tutje Havolli.

I pyetur nga Jeta Xharra nëse i ka raportuar këto diku, ai thotë se nuk ka arritur të mbaj shënime apo dëshmi për shkak se kanë qenë duke pikë kafe dhe të njëjtat çështje nuk i ka deponuar si informacione as në prokurori.

“Jo (nuk e kam raportuar në prokurori), sepse i kam ndërmarrë veprimet e nevojshme në kontestin e vlerësimit të auditorit, pra vlerësimi im ka qenë vlerësimi më i ulët prej krejt anëtarëve të tjerë. BQK po (ka bërë padi), sepse nuk guxon me dalë raporti i auditorit të brendshëm me qëllim të sulmimit të institucionit dhe është sefte që po e them, e ka nxjerrë në media”, thotë tutje Havolli.

Havolli thotë se këtë çështje asnjëherë nuk e ka ngritur në opinion deri sa shton se ish-auditori i ka sugjeruar disa herë që të dalin në drekë me mikun e përbashkët për të cilin Havolli nuk ia përmendi emrin.

Në emisionin e sotëm #KallxoPernime ishte i ftuar Zëvendës Guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli me të cilin u diskutuan tema të ndryshme që prekin këtë institucion.

Havolli foli edhe për presionet e politikës e edhe kërkesën për dorëheqje, për çka ai pretendon se ka ardhur nga anëtari i bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja.

Ky i fundit në një deklaratë për #KallxoPernime ka thënë se pretendimet e Havollit janë të pabaza dhe gënjeshtra.