Isa Mustafa qorton Haradinajn, e akuzon për mungesë të disiplinës në qeverisje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka kërkuar bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi.

Sipas kreut të LDK-së strategjia e Kosovës në dialogun nuk duhet të bëhet publike tek Serbia përmes studiove televizive.

“Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Ëashington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtjesor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushte me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës”, ka shkruar Mustafa në facebook.

“Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë”, ka theksuar Mustafa.

Sipas Mustafës, qeveria Hoti ka prioritet rimëkëmbjen ekonomike si dhe dialogun me njohje të reciproke.

“Qeverisja e vendit me prioritete luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithsesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me Kryeministrin”, ka shkruar tutje ai.

Duke ju referuar përplasjeve të fundit brenda koalicionit qeverisës, Mustafa ka thënë se LDK-ja është e gatshme të bëjë rikonfigurime në çdo kohë.

“LDK do të kërkojë që Qeveria  të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”, ka theksuar ai.

“Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj,  që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim”, ka shtuar Mustafa.

Ky reagim i kreut të LDK-së vie pas përplasjeve të fundit mes partnerëve të koalicionit lidhur me pozitën e presidentit të vendit.