Karaçevë - 18.09.2020 FOTO KALLLXO.com

IPK kërkon suspendimin e 12 policëve të arrestuar në Karaçevë

Një zyrtar policor u arrestua nën dyshimet për ndihmë në kontrabandë dhe organizim të lojërave të fatit e 11 të tjerë u arrestuan për ndihmë në kontrabandë të premten në mbrëmje në një aksion të gjerë në fshatin Karaçevë, në afërsi të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

E pas arrestimit dhe vendimit të Gjykatës së Gjilanit që të njëjtit të dërgohen në paraburgim Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar që zyrtarët policor të arrestuar në Karaçevë, të suspendohen nga detyra.

KALLXO.com mëson se rekomandimi për vazhdim të suspendimit nga IPK për zyrtarët policorë është dërguar gjatë ditës së sotme.

Rekomandimi i IPK-së u dërgua te Menaxhmenti drejtues i Policisë së Kosovës për veprimet e mëtutjeshme.

Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për rolin e policisë në Karaçevë:

Njëri nga 12 zyrtarët policorë të arrestuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Karaçevë po dyshohet për dy vepra penale, kontrabandim me mallra si dhe për organizim te skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm madje dosja zbulon se i njëjti organizonte lojëra të fatit në kazionin e cila ishte në emër të tij ndërsa zyrtarët e tjerë policorë po dyshohen për veprën penale kontrabandim.

Kështu thuhet në dosjen e prokurores së rastit Rozelida Manastiri, e cila së bashku me shefin e Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion brenda IPK-së, Bardhyl Haxhimustafa si dhe Zejnullah Surdullin nga Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar udhëhoqën planin operativ për mbylljen dhe rrënimin e kazinove që funksionin në mënyrë ilegale në Karaçevë.

Në këtë aksion u arrestuan 35 persona, 12 nga ta ishin zyrtarë policorë.

5 nga 35 të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt ndërsa sot u mbajt seanca për masën e sigurisë ndaj 30 të dyshuarve për kontrabandë e organizim të lojërave të fatit.

Zyrtarët policorë, H.K., S.K., I.M., F.K., A.K., F. Z., R.Th., S.G., S. N., S.M. dhe Z.A. sipas kërkesës për paraburgim të Prokurorisë po dyshohen për ndihmë në kontrabandë.

Të njëjtit zyrtarë policorë po dyshohen se në mënyrë të vazhdueshme, kanë ndihmuar e fshehur si dhe nuk kanë penguar kontrabandimin nga ana e të pandehurve të tjerë (qytetarë të arrestuar të premten) të cilët duke kaluar vijën kufitare, kanë shmangur kontrollin doganor përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandim të mallrave të ndryshme.

14 nga qytetarët që u arrestuan në aksionin e së premtes në Karaçevë po dyshohen për kontrabandim me mallra ndërsa Y.F., Rr. G., N.Ç. Dhe L.G. po dyshohen për organizim të lojërave të fatit apo bixhoz të kundërligjshëm.

Që nga viti i kaluar, nën masa të fshehta,  Prokuroria e Gjilan, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, Divizionin kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsion dhe Policia e Kosovës, kanë hetuar të dyshuarit të cilët në mënyra ilegale kontrabandonin kafshë nga Serbia në Kosovë.

Kontrabandimi përmes rrugëve ilegale duke i futur fillimisht në rajonin e Kamenicës përmes vijës kufitare përmes transportit me kamionë, traktor por edhe me këmbë, ku më pas bëhej distribuimi i tyre.

Kafshët më pas përfundonin në thertore apo fabrika për prodhimin e mishit si në Gjilan, Prizren, Gjakovë, Suharekë, Podujevë, Prishtine dhe të tjera vende.

Prokurorja Manastiri në kërkesën për paraburgim ka theksuar se kontrabandimi i kafshëve në një formë të tillë paraqet rrezik potencial për rrezikim të shoqërisë dhe se ka pasur rast që janë kontrabanduar edhe gjedhe të sëmura nëpër tregjet e Kosovës, të cilat në rast se konsumohen pa kontrolle mund të jenë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.