Vërshimet në Pejë. Foto: Durim Shala, KALLXO.com

Instituti Hidrometerologjik: Mbrëmë ka rënë shi me intensitet shumë të lartë, reshjet vazhdojnë pasditen e sotme

Instituti Hidrometereologjik i Kosovës (IHMK), ka thënë se të shtunën mbrëma ka rënë shi me intensitet shumë të lartë, për një periudhë të shkurtër, që ka shkaktuar edhe vërshimet fatale në Pejë.

Sipas këtij Instituti, vërshimet kanë qenë të pashmangshme.

“Situata e rënduar me vërshime në Pejë, ka ardhur si rrjedhojë e reshjeve të shiut me intensitet shumë të lartë, ku vetëm brenda 1h e 9 min. (Nga ora: 19:35 deri 20:44), kanë rënë 54.6 mm (l/m2). Kjo sasi e reshjeve për interval kohorë aq të shkurt, është e pa shmangshme pa shkaktuar vërshime, në këtë rast atyre urbane”.

Instituti ka thënë se lumi Bistrica e Pejës aktualisht nuk paraqet për ndonjë rrezik për ndonjë përmbytje lumore, ndërsa ka paralajmëruar se pasditen e sotme reshjet do të vazhdojnë.

“Do të ketë reshje shiu të cilat në pjesën perëndimore dhe verior të vendit do të jenë me intensitet dhe shtrirje më të theksuara. Situata do të filloj gradualisht të stabilizohet gjatë ditëve në vijim”.