Ilustrim - Policia në aksion

Inspektorët e Podujevës në gjumë, lokali thyente çdo natë rregullat kundër pandemisë

Inspektorati i Komunës së Podujevës ka refuzuar thirrjet e policisë për të asistuar në mbylljen e një lokali të muzikës live në Podujevë.

KALLXO.com ka siguruar një raport ku përshkruhet se Inspektorati i kishte thënë Policisë se pas orës  20:00 të mbrëmjes nuk punojnë.

KALLXO.com mësoi se mbrëmë Policia kishte ndërmarrë një operacion kontrolli në fshatin Sfeqël ku u konstatua se një lokal i muzikës po punonte jashtë orarit.

Në po të njëjtin lokal në ndërhyrjen e mbrëmjes së kaluar, KALLXO.com mëson se ndaj 50 personave ishin shqiptuar edhe gjoba.

Raporti tregon se disa herë policia kishte shqiptuar gjobë ndaj pronarit të lokalit por i njëjti kishte vazhduar që të punoj duke mos iu bindur urdhrave se nuk mund të punoj pas orës 19:00.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i cili tha se nuk ka qenë në dijeni se një lokal i tillë ekziston e madje punon pas orarit duke thyer kështu edhe vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Ai tha se me të njëjtën çështje do të merret si dhe do të kërkoj përgjegjësi nga inspektorët komunalë të cilët nuk kanë ndërmarrë masa përderisa i njëjti lokal ka vazhduar të punojë pa u ndaluar nga askush.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka raportuar në lidhje me një operacion policor që ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Sfeqël të Podujevës.

Për shkak se komuna e Podujevës gjendet në zonën e kuqe për shkak të numrit të lartë të personave të infektuar me COVID-19, puna e lokaleve të gastronomisë ndalon në orën 19:00.

Kjo për shkak të numrit të madh të personave të cilët janë të infektuar me COVID-19.

Në komunat të cilat gjenden në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllen të gjitha aktivitetet ekonomike si dhe është i vendosur kufizimi i plotë i lëvizjes së qytetarëve gjithashtu edhe ndalohen të gjitha hyrjet dhe daljet deri në orën 5 të mëngjesit.

Përveç komunës së Podujevës në zonën e kuqe gjenden edhe 10 komuna të tjera, Prishtina, Zveçani, Zubin Potoku, Fushë-Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani dhe Drenasi.