Inspektorati i Arsimit në Gjakovë kërkon shkarkimin e drejtorit të Arsimit në Rahovec

Sektori i Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, që të iniciojë procedura disiplinore dhe ligjore për shkarkim nga detyra të drejtorit të Arsimit të Rahovecit, Avni Morina.

Vendimi për kërkesën për shkarkim erdhi pasi Morina kishte nxjerrë një vendim i cili obligonte të gjithë drejtorët e shkollave të mos lëshojnë vërtetime për përvojën e punës dhe numrin e ditëve të mësimit të punonjësve arsimorë të shkollave.

Në vendimin e nxjerrë gjatë vitit 2017 nga Avni Morina potencohet se organi i vetëm që mund ta bëjë këtë është Drejtoria komunale e Arsimit.

Ndërsa, Inspektorati i Arsimit në Gjakovë konsideron se një vendim i tillë është i kundërligjshëm.

Vendimi me kërkesën për shkarkim të drejtorit të Arsimit në Rahovec, Avni Morina, erdhi pas ankesave të disa mësimdhënësve.

Kallxo.com ka tentuar të marrë mendim nga drejtori Avni Morina dhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, lidhur me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit.