Ilustrim

Indonezi: 11 alpinistë të vdekur, 12 të zhdukur nga shpërthimi i vullkanit  

Njëmbëdhjetë alpinistë kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur në Indonezi pas shpërthimit të një vullkani shumë aktiv në provincën e Sumatrës Perëndimore, shkruan sot CNN.

E vendosur në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, Indonezia ka 127 vullkane aktive – më shumë vullkane se kudo tjetër në botë – dhe mali Marapi është ndër më aktivët e vendit.

Vullkani, në një lartë 2,891 metra shpërtheu të dielën, duke nxjerrë hi vullkanik dhe duke dërguar shtëllunga gjigante tymi në qiell.

Evakuimet janë duke u zhvilluar në zonë, ka deklaruar për CNN, Abdul Malik, kreu i ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit në Sumatrën Perëndimore dhe një ekip prej 40 shpëtimtarësh ishte aktualisht në mal ndërsa shpërthimet po ndodhnin ende.

Përveç 11 personave që konsiderohen të vdekur, tre alpinistë janë gjetur të gjallë, por 12 të tjerë mbeten të zhdukur, ka shtuar Malik, gjendja e të cilëve nuk dihet.

Gjithsej 75 persona, përfshirë alpinistët, janë evakuuar deri më tani dhe të plagosurit janë dërguar në spital, sipas një përditësimi të lëshuar të hënën në mëngjes.

Fotot e marra nga atje shfaqin vetura, rrugë dhe fshatra të tëra aty pranë, të mbuluara me hi.

Marapi është një nga vullkanet më aktivë në ishullin Sumatra dhe shpërthimi i tij më vdekjeprurës ishte në prill të vitit 1979, kur vdiqën 60 njerëz, sipas Reuters.

Pas shpërthimit të fundit, autoritetet kanë ngritur alarmin e dytë më të lartë dhe kanë ndaluar të kryhen të gjitha aktivitetet brenda 3 km nga krateri i Marapi. /CNN