Një pesëvjeçar nxirret nga rrënojat e tërmetit në Indonezi

Shiu i madh dhe rreziku i rrëshqitjes së tokës ndërprenë punën e punonjësve të shpëtimit indonezian që po kërkojnë tash e sa ditë për të mbijetuar nga një tërmet që la të vrarë 271 njerëz, me një paralajmërim zyrtar se koha po mbaron për këdo që ka mbetur i bllokuar.

Ndërkohë që kërkimet po vazhdonin, ekipet e shpëtimit nxorrën nga rrënojat një djalë pesëvjeçar, i cili kishte shpëtuar sepse ishte mbrojtur nga një dyshek.

Në një video të shpëtimit të postuar nga një departament lokal i zjarrfikësve, Azka, i cili kishte mbetur i bllokuar për dy ditë, u shfaq i vetëdijshëm dhe i qetë ndërkohë që doli i sigurt nga ato rrënoja.

Tërmeti i së hënës me magnitudë 5.6 shkaktoi dëme të mëdha në qytetin Cianjur, në malet rreth 75 km në jug të kryeqytetit, Xhakarta, me 40 persona që ende konsiderohen të zhdukur.

Përpjekjet e rikuperimit u përqendruan në rajonin Cugenang, një nga rrethet më të goditura, ku të paktën një fshat i tërë besohet të jetë fundosur nën një rrëshqitje dheu.

Zyrtarët e atjeshëm kanë thanë se ka pasur më shumë se 170 pasgoditje, përfshirë një të tillë me magnitudë 3.9 të mërkurën pasdite.

Në një spital në rajonin Cianjur, pacientët po trajtoheshin jashtë në tenda për shkak të frikës nga pasgoditjet, thotë një anëtar i stafit mjekësor atje.

Ministri i Shëndetësisë, Budi Gunadi Sadikin, ka bërë apel urgjent për ndihmë shtesë për pacientët në spitalet e dëmtuara nga tërmeti.

Indonezia është një nga vendet më të prirura nga tërmetet në botë, duke regjistruar rregullisht tërmete të forta në det të hapur ku rrjedhin linjat e thyerjes.

Tërmeti i së hënës ishte kaq vdekjeprurës sepse goditi një zonë me popullsi të dendur në një thellësi të cekët prej vetëm 10 km.

Standardet e dobëta të ndërtimit çuan në shumë vdekje, thanë zyrtarët e atjeshëm.

Presidenti indonezian, Joko ëidodo, bëri thirrje që banesat rezistente ndaj tërmeteve të përfshihen në përpjekjet e rindërtimit kur ai vizitoi zonën e fatkeqësisë të martën./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala