Indonezia e miraton kodin penal përmes të cilit ndalohet seksi jashtëmartesor

Ligjvënësit në Indonezi i kanë miratuar ndryshimet në kodin penal të këtij vendi, duke e prezantuar një rishikim ligjor gjithëpërfshirës dhe të diskutueshëm.

Kritikët i kërkuan Dhomës së Përfaqësuesve të Indonezisë që të mos e ratifikojë paketën – e cila përfshin masa që mund ta ndëshkojnë me burgim seksin jashtë martesës, dhe përshkruan dënimet me burg për çiftet që jetojnë së bashku jashtë martese.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve e miratuan projektligjin me mbështetjen e të gjitha partive të mëdha, mes kritikëve që thonë se ai do t’i kërcënojë liritë qytetare në vendin më të madh mysliman në botë.

Edhe pse kodi penal është ratifikuar, i njëjti nuk do të hyjë në fuqi për tri vjet.

Aktualisht, Indonezia e ndalon tradhtinë bashkëshortore, por jo edhe seksin paramartesor.

Pjesa më e madhe e kodit penal mund të gjurmohet nga sundimi kolonial holandez i Indonezisë.

Sipas projektligjit, seksi jashtë martesës dënohet me një vit burg dhe çiftet që jetojnë së bashku jashtë martese mund të përballen me gjashtë muaj burg.

Megjithatë, që policia të jetë në gjendje ta hapë një hetim penal për vepra të tilla, një anëtar i familjes duhet të bëjë një ankesë.

Që kur Indonezia e shpalli pavarësinë nga holandezët, rishikimi i kodit penal ka qenë një çështje diskutimi në vendin e Azisë Juglindore.

“Kodi i vjetër i përket trashëgimisë holandeze … dhe nuk është më i rëndësishëm tani,” u ka thënë ligjvënësve Bambang ëuryanto, udhëheqësi i komisionit parlamentar përgjegjës për rishikimin e kodit.

Ligjet e reja të diskutueshme do të zbatohen si për indonezianët ashtu edhe për të huajt./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala