India shënon sërish rekord të infektimeve me coronavirus

India ka regjistruar rekord të ri ditor të rasteve me coronavirus, ndërkohë që spitalet në këtë shtet përballen me mungesa të shtretërve të lirë dhe furnizimeve me oksigjen.

Një zyrtar e ka përshkruar situatën si “cunami” të infektimeve.

Autoritetet kanë regjistruar 346,786 raste të reja të të infektuarve me këtë virus, duke shënuar rekord për të tretën ditë më radhë.

Prej shpërthimit të pandemisë, India ka regjistruar 16 milionë raste të infektimit me këtë virus, duke u renditur e dyta në botë, pas Shteteve të Bashkuara.

Ministria indiane e Shëndetësisë ka raportuar më 24 prill se 2,624 persona kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin e viktimave me coronavirus në 189,544.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, India renditet e katërta në botë sa i përket viktimave me coronavirus.

Më shumë viktima se kaq kanë regjistruar Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe Meksika.

E përditshmja indiane “Express”, ka thënë se spitalet në Indi janë të mbingarkuara dhe si pasojë e mungesës së oksigjenit kanë vdekur 20 pacientë në një spital në Nju Delhi.

“Zemrat tona janë me popullin indian teksa përballet me këtë shpërthim të tmerrshëm të coronavirusit”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit Antory Blinken, përmes një postimi në Twitter.

“Ne jemi duke punuar me partnerët tanë në Qeverinë indiane dhe do të angazhohemi shpejt për ndihmë të popullit të Indisë dhe heronjve të shëndetit publik në Indi”, ka thënë mes tjerash Blinken./REL