Incidenti në 'Trepçë', Abdurrahmani: Policia reagoi shpejt e na shpëtoi nga eliminimi

Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, së bashku me ushtruesin e detyrës të kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, në një konferencë për media kanë folur për incidentin që ka ndodhur sot në këtë ndërmarrje.

Abdurrahmani tha se kërcënimi që ai e pati ishte i rëndë dhe sipas tij kjo ka qenë për shkak të nënshkrimit të një marrëveshjeje.

“Sot ka ndodhur një incident ndaj meje dhe kolegëve të mi. Ne jemi sulmuar fizikisht nga Rafet Ibishi dhe disa persona te tjerë. Sulmi kaloi me pasoja të vogla por kërcënimi ishte i rëndë. Unë e falënderoj Policinë e Kosovës sepse reagoi shpejt e na shpëtoi nga eliminimi jonë apo mbytja jonë”, tha ai.

Ai shtoi se në bashkëpunim me PK janë identifikuar personat dhe ata janë suspenduar nga puna deri në një vendim të gjykatës.

“Nënshkrimi i marrëveshjes së terminalit është vetëm një vlerë e shtuar. Prandaj punëtorëve ju bëj thirrje të kthehen në vendin e punës, çdo eskalim i situatës do ta dëmtojë “Trepçën””, shtoi më tej Abdurrahmani.

Kurse, zëvendësministri Mentor Arifaj kërkoi nga punëtorët që të mos bien pre e informacioneve të rreme.

“Sot ka ndodhur një incident ku ish-kryeshefi bashkë me disa persona, të cilët mund të jenë të punësuar këtu ose mund të jenë nga jashtë, ka sulmuar kryeshefin aktual dhe persona të tjerë. Me këtë rast po merren organet e drejtësisë. Nga e premtja e kaluar Enis Abdurrahmani ushtron detyrën e u.d. kryeshefit në “Trepçë” dhe nga ajo ditë është nënshkruar një memorandum për themelimin e një terminali shtetëror”, tha ai.

“Ne si Qeveri e Kosovës i bëjmë ftesë të gjithë punëtorëve që mos të bien pre e keqinformimit sepse bordi është i ligjshëm dhe vendimet janë legjitime. I ftoj punëtorët që të vazhdojnë punën pa ndërhyrje”, shtoi Arifaj.

KALLXO.com ka raportuar se disa persona janë parë paraditen e sotme në objektin e “Trepçës” duke hyrë në mënyrë demonstrative.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe drejtori i Administratës në “Trepçë”, Besim Haxhiu, janë sulmuar fizikisht nga një grup i njerëzve.

Tre persona janë arrestuar pas sulmit që ka ndodhur ndaj ushtruesit të detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmanit dhe drejtorit të Administratës në “Trepçë”, Besim Haxhiut.

Incident në Trepçë, sulmohen u.d. kryeshefi dhe një drejtor – VIDEO