IKSHPK tregon për situatën e furnizimit me ujë të pijshëm në zonat e vërshuara

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se pothuajse tek të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve, vlerat e turbullirës janë brenda standardeve të parapara.

IKSHPK thotë se gjendja dukshëm është përmirësuar pas reshjeve të shiut ditëve të kaluara dhe rrjedhimisht ka stabilizim të situatës me furnizim dhe cilësi të ujit për pije.

“Vlera e turbullirës është rikthyer në vlera parametrike brenda standardeve të parapara me UA 10/2022 për cilësi të ujit për konsum human. Funksionalizimi në Impiantet e Trajtimit të ujit për pije (ITU) është rikthyer në kapacitet të plotë. Të gjitha mostrat e grumbulluara gjatë ditës së sotme i përgjigjen standardeve të parapara për ujin e pijshëm” – thuhet në njoftim.

Mirëpo, sipas IKSHPK-së vlera të shtuara të turbullirës, edhe pse më të ulëta se ditëve të kaluara mbeten në disa zona:

  • KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: burimi në Radavc (7.8 NTU ), burimi / Istog (10 NTU ), burimi Janinë/Klinë (15.3 NTU ), burimi Shkozë/Junik (8.9 NTU).
  • KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës: burimi Gërqinë (2.6 NTU).
  • KRU “Hidroregjioni Jugor”- Rajoni i Prizrenit: burimi / Malishevë (9.8 NTU).
  • KRU “Hidromorava”- Rajoni i Gjilanit: burimi Novobërdës (<10 NTU).

IKSHPK bën të ditur se uji në rrjetet shpërndarëse nga këto sisteme për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës nuk është brenda standardit të paraparë dhe rekomandon qytetarët që furnizohen nga këto sisteme, që uji para përdorimit të vlohet.

Në fundjavën që shkoi, Kosova u përball me reshje të dendura të shiut si pasojë e të cilave, shumë qytete u vërshuan.

Rajonet më të prekura nga vërshimet ishin, Skenderaj, Mitrovica, Malisheva, Juniku, Peja, Vushtrria e Gjakova.