IKSHPK: Në ujin e Deçanit janë identifikuar disa baktere

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se janë identifikuar disa baktere në ujin e Deçanit që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.

“Në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm. Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar”, thuhet në komunikatë

Tutje IKSHPK ka bërë të ditur se ekipet nga të gjitha rajonet e Kosovës vazhdojnë punën në terren duke punuar intensivisht në gjetjen e shkakut të shpërthimit epidemik.

“Situata epidemiologjike dhe sanitacioni janë në kontroll të vazhduar, nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës epidemiologjike do të rezultojë me rekomandime të reja”, thuhet në njoftim.

IKShPK ka dhënë disa rekomandime:

  1. Të shtohet kontrolli i Inspeksionit sanitar dhe shëndetësore për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësinë e të dhënave për pacientët;
  2. Të shtohet kontrolli i Inspeksionit sanitarë dhe mjedisorë në identifikimin e kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit;
  3. Në mungesë të ujit nga rrjeti i ujësjellësit të sigurohet uji higjienik për pije nga cisternat e kompanisë ujore komunale, deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e komunës se Deçanit, pa marrë parasysh a kanë apo jo raste të dyshimta me simptoma gastrointestinale;
  4. Furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe për përgatitje te ushqimit;
  5. Pas rikthimit të ujit në rrjetë rekomandohet që uji të përdoret vetëm për amvisëri dhe higjienë deri në rekomandimin e ri;
  6. Kompania ujore publike të përforcojë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojë ujin dhe të shtojë inspektimin e resurseve ujore, kontrollin e kaptazhave dhe pusetave të ujit dhe në secilin rast individual të intervenohet menjëherë sipas nevojës;
  7. Ujësjellësi të furnizojë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal, për të pamundësuar kontaminimin dhe për parandalimin e epidemive hidrike;
  8. Ekipet e ujësjellësit rajonal të debllokojnë nyjet e kanalizimeve, të gjejnë pikat e dobëta në rrjet, ku përzihet uji i ujësjellësit me kanalizim dhe gropa septike;
  9. Të ndalohet rreptësisht kyçja e puseve (bunarëve) në rrjetin e ujësjellësit;
  10. Të ofrohet ndihma e nevojshme për të gjithë pacientët e sëmurë.

Deri më tani është raportuar për rreth 1 mijë 500 pacientë të helmuar, e që shkaku ende nuk dihet.