IHMK: Reshjet do të vazhdojnë ditëve në vijim, në disa zona mund të ketë vërshime

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, prandaj në disa zona, përsëri mund të paraqiten probleme me vërshime.

Sipas IHMK-së si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditës së djeshme dhe orëve të natës, nëpër disa pjesë të Kosovës disa lumenj, kanë paraqitur vërshime të shpejta.

Instituti ka njoftuar se si pasojë e përmbytjeve janë shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve por edhe përmbytje të tokave.

“Nëpër disa segmente të lumenjve kryesorë janë shkaktuar edhe përmbytje të lokalizuara lumore, të cilët mund të kenë shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore”- ka njoftuar IHMK duke shtuar se kësaj situate i ka kontribuar edhe shkrirja e borës.

Situata e përgjithshme hidrometeorologjike, është në përmasim gradual, prandaj edhe gjendja e lumenjve, pritet të stabilizohet gradualisht, thuhet tutje në njoftim.

Raportin e plotë mund ta gjeni në këtë LINK.

Disa rajone në Kosovë janë përballur me vërshime edhe para rrethnjë muaji, për shkak të reshjeve të dendura të shiut të cilat kanë shkaktuar dëme materiale.