I apostrofuari për atentat ndaj Albin Kurtit kishte rast të hapur në Prokurorinë e Prizrenit

Prekë Kodra, i apostrofuari nga mediat në Shqipëri për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, deputetit të PDK-së Xhavit Haliti dhe ish pjesëtarit të UÇK-së Ismet Haxha, ka pasur rast të hapur në Kosovë mbi dyshimet se po posedonte para false.

Por hetimi ndaj tij ishte mbyllur pasi ekspertiza e parave kishte konstatuar se paratë nuk janë false. Ndërsa Kodra kishte paguar 25% të shumës për mos deklarim të parave në pikën doganore.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësi i gjykatës në Prizren, Marcel Lekaj.

“Një hetim ka qenë i hapur për dyshimet se posedon para false por është mbyllur pasi ekspertiza ka treguar se paratë nuk janë false dhe rasti ka kaluar tek Dogana e Kosovës për kundërvajtje doganore për mos deklarim të parave”- ka thënë Lekaj.

Kallxo.com merr vesh se Kodra më datën 23 nëntor të viti 2021, deri sa po hynte në Kosovë në pikën kufitare në Vërmicë nuk kishte deklaruar shumën e parave prej 14 mijë eurosh, më pas gjatë kontrollit ju kanë gjetur dhe është arrestuar e ndaluar për 48 orë nën dyshimin për para të falsifikuara.

Ndaj Kodrës ishte hapur edhe një hetim mbi dyshimin për para false por hetimi ishte mbyllur me kërkesën e prokurorisë së Prizrenit, vendimin e së cilës e ka nxjerrë Gjykata më datën 31 janar 2022.

Pasi ishte kthyer ekspertiza e parave e cila kishte konstatuar se paratë nuk janë false me vendim të Gjykatës paratë ishin bartur tek Dogana e Kosovës për kundërvajtje doganore.

Kallxo.com ka kontaktuar me zyrtarët e Doganës së Kosovës të cilët e kanë konfirmuar se Kodrës sipas ligjeve në fuqi ju kanë konfiskuar 25 % e shumës ndërsa 75 % e shumës së parave ju kanë kthyer pasi i njëjti ka sjellë dëshmi për prejardhjen e parave.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe me avokatin e Prekë Kodrës, por ai nuk ka pranuar të flasë pasi që nuk ka arritur të kontaktoj paraprakisht me klientin e tij. Por, ai e ka konformuar se lidhur me rastin e parave bëhet fjalë për Prekë Kodrën.

Kurti për dyshimet për atentat ndaj tij: Konfirmoj se ndjehem i sigurt