I akuzuari për sulm terrorist ndaj komunitetit LGBTI del para gjykatës

Blend Vrajolli me nofkën “Ebu Ubejbi” u ul sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat e përgatitjes së sulmeve terroriste kundër komunitetit LGBTI.

Lidhur me këto akuza që i bien në barrë nga Prokuroria Speciale, i akuzuari Vrajolli u deklarua se ndihet i pafajshëm.

Blend Vrajolli po akuzohet se ka bërë përgatitjen e sulmeve terroriste në Kosovë përmes materialeve të rrezikshme e vdekjeprurëse në kombinim me “Nitrat de Calcium” në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI si dhe në pikën kufitare në Merdarë.

Sipas aktakuzës, i njëjti me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite për në Kosovë përmes aeroportit të Shkupit, pasi ishte pjesë e Stop Listës ishte ndaluar dhe kontrolluar në pikën kufitare “Hani i Elezit”, me ç’rast i janë gjetur mesazhe dhe harta të pranuara përmes rrjetit social “Telegram”.

Vrajolli ishte arrestuar me datë 21 shkurt të këtij viti ndërkaq aktakuza e Prokurorisë Speciale ishte ngritur me 15 Shtator.

Këtë rast po e gjykon gjyqtarja e departamentit special Valbona Musliu Selimaj ndërkaq aktakuzën po e përfaqëson Prokurori Special Afrim Shefkiu.

Përgjatë seancës së sotme mbrojtja me avokatin Arbër Shala propozoi që masa e paraburgimit të cilën po e mban Vrajolli të i zëvendësohet me ndonjë masë më të butë.

Mirëpo kjo kërkesë u refuzua nga gjyqtarja Musliu – Selimaj, kështu i akuzuari vazhdon të mbetet nën masën e paraburgimit.