I akuzuari për krime lufte në Kosovë, Millosh Pleskoviq Foto: KALLXO.com

I akuzuari për krime lufte në Kosovë s’e pranoi fajësinë, tensione në gjykatë – VIDEO

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj serbit, Millosh Pleskoviq i cili akuzohet se ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë luftës në Kosovë, në zonën e Prizrenit.

Pleskoviq akuzohet se më 01.09.1998 në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” kishtë shtënë me armë të tipit  “kallashnikov” dhe nga të shtënat ishin vrarë tre civilë shqiptarë.

Në seancën gjyqësore të datës 21.06.2024, në seancën e shqyrtimit fillestar është lexuar aktakuza nga Prokurori Special, Ilir Morina.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, gjyqtari Rrahman Beqiri ja dha mundësinë të akuzuarit të deklarohet lidhur me veprën penale të cilën ai po akuzohet nga Prokuroria Speciale.

“Nuk e pranoj fajësinë” – tha i akuzuari Pleskoviq.

Pasi i njëjti nuk e pranoi fajësinë, pati reagime nga ana e publikut në sallë, një person menjëherë u urdhërua nga policia që të largohej nga salla.

Mbrojtësja e të akuzuarit Milosh Pleskoviq, avokatja Jovana Filipoviq propozoi që masa e paraburgimit ndaj të mbrojturit të saj, të zëvendësohet me një masë më të butë.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurori Morina, sepse sipas tij ekziston mundësia e ndikimit në dëshmitar dhe po ashtu edhe mundësia e arratisjes.

Mirëpo lidhur me propozimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit, gjyqtari  Rrahman Beqiri njoftoi se gjykata do të vendos jashtë seancës.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998 – 1999 në Prizren, gjatë një konflikti me karakter jo ndërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Forcave ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) dhe forcave policore të Serbisë, i pandehuri Milos Pleskoviq, me dashje e në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil, duke kryer vrasjen e viktimave, në atë mënyrë që në periudhën kohore relevante për këtë aktakuzë, forcat policore dhe ushtarake të RFJ dhe Serbisë ishin stacionuar në kodrat përreth Prizrenit, për shkak të konfliktit të armatosur që ishte duke ndodhur në atë zonë.

Sipas aktakuzës, rreth datës 01.09.1998, në afërsi të Lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat Reshat Daçaj, Binak Daçaj, Fatmir Bojaxhiu së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje, deri sa ishin duke ecur, kanë hasur në një grup prej 7-8 persona, të armatosur të nacionalitetit serb, të cilët kishin dalë nga mali dhe ishin me uniforma policore dhe ushtarake, me shirita në krah dhe në kokë dhe njëkohësisht ishin të armatosur me armë të gjata automatike e të cilët fillimisht i kishin urdhëruar që të ndaleshin, pastaj i kanë fyer në gjuhën serbe.

Tutje sipas aktakuzës, në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë, në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “kallashnikov” në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima – tani i ndjeri Binak Daçaj e ka shtyrë më krah të dëmtuarin Xhenger Cana, duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtoj nga vrasja pasi që ishte më i riu në grup.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të dëmtuarit Xhenger Cana,Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat – tani të ndjerit Binak dhe Reshat Daçaj dhe Fatmir Bojaxhiu, kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë, si pasojë e të shtënave ashtu që pas një jave, me lejen e policisë serbe, familjarët e viktimave kanë shkuar që t’i marrin trupat e tani të ndjerëve Reshatit, Binakut dhe Fatmirit, tek te cilët kanë parë se trupat e viktimave janë të gjymtuar, ashtu që Reshatit dhe Binakut ishin vendosur njëri mbi tjetrin, njëri nga ta e kishte këmbën e prerë nga trupi, kurse viktima Fatmiri nuk e kishte pasur kokën në trup.

Në bazë të akuzave të lartcekura, sipas aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krim i Luftës kundër popullsisë civile.”

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.