Hulumtimi që do të shpërfaqë ndikimin e dezinformatës nga Rusia dhe Kina në Kosovë

Të dhënat e një hulumtimi gjatë të cilit janë monitoruar rreth 100 transmetues në Kosovë do të publikohen të hënën.

Hulumtimi i realizuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, zyra në Kosovë, do të shpërfaqë të dhëna për ndikimin e propagandës ruse dhe shpërndarjen e informacioneve nga Kina.

Hulumtimi do të zbulojë edhe burime të dezinformatave dhe rrjedhën e dezinformatave nga vendet fqinje.

Analiza shpërfaq edhe të dhëna për propagandën dhe ndikimin e narrativeve kundër NATO-s dhe BE-së në Kosovë, përfshirë këtu narrativet se NATO ka kryer krime dhe misionet e BE-së në Kosovë kanë dështuar.

Përpos ndikimit nga Kremlini, raporti do të shpërfaqë edhe të dhëna mbi ndikimin e propagandës nga Kina dhe rrjedhën e saj në Kosovë.

Një pjesë e rëndësishme e raportit do të fokusohet në gjuhën e politikanëve dhe raportet e rreme për ngjarjet në veri.

Publikimi do të ofrojë të dhëna për qindra lajme të rreme, të cilat janë prodhuar dhe të cilat kishin për qëllim destabilizimin e situatës në veriun e Kosovës.

Një pjesë tjetër e raportit do të shpërfaqë ndikimin e lajmeve të rreme për ekonominë në Kosovë veçanërisht lajmet për energjinë dhe ndikimin e luftës në Ukrainë.

Situata me COVID-19 dhe lajmet e rreme për shëndetësinë po ashtu do të jenë pjesë e raportit duke shpërfaqur dhjetëra raste të lajmeve të rreme nga shëndeti.

Raporti është hartuar duke mbledhur të dhëna nga 100 burime të informacionit ndërsa paraqet edhe të dhëna për nivelin e përgatitjes së institucioneve për t’u përballur me dezinformatën.

Hulumtimi ka matur përgatitjet e gjyqtarëve, prokurorëve, mjekëve, punëtorëve socialë e mësuesve për t’u përballur me dezinformatën.

Të dhënët tregojnë që një pjesë e madhe e tyre nuk kanë njohuri për lajmet e rreme dhe u besojnë lajmeve të rreme.

Hulumtimi shpërfaq edhe të dhëna për ndikimin e dezinformatës në publik.

1,056 qytetarë të vendit janë anketuar për të testuar se sa u besojnë lajmeve të rreme.

Drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, dhe shefja e ‘task-forcës’ për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit të Jashtëm Europian, Jasna Jelisic, do të mbajnë fjalimet hyrëse gjatë konferencës dhe më pas do të ketë prezantim të zbulimeve kryesore të raportit dhe diskutim lidhur me to.

Ngjarja do të pasohet me diskutime nga paneli i përbërë nga Jeton Mehmeti, nga KPM, Imer Mushkolaj, nga KMSHK, Rrezarta Delibashzade, nga D4D, dhe Muhamet Hajrullahu, nga Telegrafi, Branisllav Kërstiq, gazetar, Lulzim Peci, nga KIPRED, Emir Abrashi, nga D+, dhe Pajtim Gashi, nga NDI.