Foto operacioni ortopedi

Hulumtimi për misteret e vdekjeve në duar të mjekëve

Sonte në emisionin “Kallxo Pernime” transmetohet hulumtimi që flet për misteret e vdekjes në QKUK të Sabrie Fazliut, 36-vjeçare, dhe të Tuana Haxhiut, 7-vjeçare. Kjo e fundit ka vdekur në QKUK pas disa komplikimeve shëndetësore gjatë trajtimit në një poliklinikë private në Prishtinë.

Të dy rastet nuk janë zbardhur ende e familjarët presin drejtësi ndërsa prokurori thotë se është duke kryer hetime.

Sabrie Fazliu ka vdekur më 21 janar të vitit 2016 në Kliniken Gjinekologjike në QKUK.

Rrethanat e vdekjes se saj nuk janë zbuluar tash e pesë vite.

Në një intervistë për KALLXO.Com bashkëshorti i saj, Nazmi Fazliu, rrëfen momentet e para të keqësimit të gjendjes brenda objekteve në QKUK dhe qysh u zhvilluan ngjarjet pesë vite më parë.

Në emision Prokuroria e Prishtinës tregon se pse dosja nuk është përkthyer ende për t’u dërguar në ekspertizë në Gjermani.

Çka thonë mjekët e dyshuar për ngjarjen?

Çka thanë ata në intervistat në Prokurorinë e Prishtinës?

Nga kush dolën filmimet dhe si ranë ato në duart e të dyshuarave për ngjarjen?

Në pjesën e dytë të emisionit ndiqni detajet e vdekjes së 7-vjeçares Tuana Haxhiu, e cila ka vdekur në gushtin e vitit të kaluar në QKUK pas disa komplikimeve gjatë trajtimit në një poliklinikë private në Prishtinë.

Nëna e saj Lutfie Haxhiu thotë se ende nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria e Prishtinës se si i ka vdekur vajza 7-vjeçare.

Ajo rrëfen për momentet e përkeqësimit të gjendjes së vajzës.

Detajet e raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës se si e përshkruan shkaktarin e vdekjes të vajzës 7-vjeçare.

Gjithashtu ndiqni detajet e raportit të Inspektoratit Shëndetësor për të gjeturat në poliklinikën private pasi ka vdekur vajza.

A u morën masa ndaj mjekut i cili doli nga orari i rregullt i punës në QKUK për të kryer punë në poliklinikë private ‘CT Scanner’ ku dhe ishte prezent në momentin e keqësimit të gjendjes së 7-vjeçares?

Në emision do të ndiqni deklarimet e Odës së Mjekeve të Kosovë dhe Odës së Infermiereve për raportin e Inspektoratit Shëndetësor.

‘Kallxo Pernime’ transmetohet sonte nga ora 22:15 në RTV Dukagjini dhe live në KALLXO.com.