
Hulumtimi i KALLXO.com, Gjykata e Gjakovës e dënon me burgim të pandehurin për kanosje ndaj gjyqtares në Dragash
Gjykata e Gjakovës ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Omer Muhameti, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit akuzohet për veprën penale – kanosja.
Sipas njoftimit, gjyqtari i çështjes, Sulltan Dobraj, e shpalli fajtor të pandehurin për veprën penale dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 muaj, i cili do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjykata arsyeton se i pandehuri Omer Muhameti është shpallur fajtor pasi më 26.04.2024 në objektin e Gjykatës Themelore të Prizrenit – Dega në Dragash, me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit seriozisht e kishte kanosur gjyqtaren Nj.B.
“Në atë mënyrë që ditën kritike, derisa ishte duke qëndruar në korridorin e kësaj gjykate fillon të bërtas dhe kërcënoi, veprime të cilat i ka vazhduar në sallën e gjykimit dhe kur e dëmtuara-gjyqtarja e çështjes si pasojë e këtyre sjelljeve, ia tërheq vërejtjen të pandehurit , i njëjti i drejtohet me fjalë kanosëse “ a je ti në mend, a je tu e ditë çka je tu fol, je tu shti me u vra dy familje” dhe në momentin kur gjyqtarja merr vendim që i njëjti të largohet nga salla e gjykimit, i pandehuri i drejtohet me fjalët kanosëse, “ unë me ty kam me u marr vesh privatisht”, me çka tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e saj.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Gjakovës më 07.03.2025.
KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin i cili fliste për plagosjen e Kadri Qusajt. I dyshuar për këtë tentim vrasje ishte Omer Muhameti, ish-dhëndri i viktimës.
Sipas hulumtimit, rasti kishte ndodhur jashtë objektit të Gjykatës në Dragash.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur më 26.04.2024, në mesditë, jashtë objektit të Gjykatës.
Në Gjykatën e Apelit më 06.11.2024 është mbajtur seanca për shqyrtimin e ankesave në rastin ndaj Omer Muhametit, i cili po akuzohet për veprën penale vrasje në tentativë ndaj ish-vjehrrit të tij.
Aktakuza ndaj Omer Muhametit ishte ngritur pak ditë pasi KALLXO.com publikoi hulumtimin që fliste për plagosjen në Dragash.
Omer Muhameti ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prizrenit më 30.07.2024 dhe ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim për ngjarjen që ndodhi më 26.04.2024.
Kundër vendimit të Themelores janë dorëzuar ankesa nga Prokuroria e Prizrenit, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Naim Kurtishi, dhe nga avokati i të akuzuarit, Xheladin Osmani.