Hulumtim: Dosja e Veriut dhe ndërtimet në Malin e Zi

Një hulumtim i #KallxoPernime, i cili transmetohet të mërkurën më datë 22 dhjetor, do zbardhë rrjedhën e parave dhe kompanitë që morën tenderë në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Hulumtimi zbardhë lidhjet kontraktuale në mes kompanisë ‘Rad’, kompani kjo në pronësi të Radulle Steviq, person i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa kompanive me pronarë shqiptarë të cilat punuan si nënkontraktorë të kësaj kompanie.

Të intervistuar për këtë emision, Arben Jetullahu, pronarë i kompanisë ‘ABC’, Bekim Pireva, bashkëpronar i kompanisë ‘Premium Bau’, Ibrahim Kostanica nga kompani ‘Iliria’ dhe Gani Ibrahimi nga kompania ‘Komplas’, flasin për mënyrën se si lidhën kontrata me kompaninë “Rad”.

Pjesë e hulumtimit është edhe lidhja në mes Arben Jetullahut, pronarit të kompanisë ‘ABC’ dhe Idriz Thaçit, vëllait të ish-Presidentit Hashim Thaçi.

Hulumtimi tregon se Jetullahu e Thaçi janë ortak në ndërtime të banesave në Ulqin.

Në bisedë për emisionin do mund të ndiqni versionin e Idriz Thaçit për këtë investim në Ulqin, e po ashtu detaje dhe komente për lidhjet e kompanisë ‘ABC’ me kompaninë “Rad”.

Hulumtimi i cili ka zgjatur rreth 1 vit sjellë detaje dhe rrëfime të punëtorëve të kompanive shqiptare të cilët punuan në projektet kryesore në veriun e vendit.

Dëshmitë e tyre risjellin në vëmendje rindërtimin e digës në Liqenin e Ujmanit, projektin e ndërtimit të bustit të “Car Llazarit”, Luginës së Diellit, e deri tek angazhimi i kompanive shqiptare për të larguar barrikadat e vendosura në veriun e vendit.

Dosja zbardhë edhe projekte të dyshimta korruptive, ku punëtorët tregojnë se kanë renovuar dhe ndërtuar vila e shtëpi të cilat pretendohet të jenë të miqve të Millan Radojçiq e Radulle Steviq.

Hulumtimi sjellë edhe detaje të tjera për listën e publikuar së fundmi nga SHBA, ku pronari i kompanisë ‘RAD’ është pjesë e grupit të njerëzve që u ndalohet hyrja në SHBA për shkak se janë të lidhur me kontrabandën dhe krimin e organizuar në veriun e vendit.

Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij departamenti, publikoi ditë më parë një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Sipas ueb-faqes së Departamentit amerikan të Thesarit, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja menaxhon dhe zbaton sanksionet ekonomike dhe tregtare, bazuar në politikën e jashtme të SHBA-së dhe sigurinë kombëtare.

Sanksionet aplikohen kundër vendeve dhe regjimeve të huaja që janë në shënjestër, terroristëve, trafikantëve ndërkombëtarë të drogës dhe atyre që përfshihen në aktivitete që lidhen me përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe me kërcënime të tjera për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme ose ekonominë e Shteteve të Bashkuara.

 

Kush janë serbët e Kosovës të përfshirë në listë?

Lista e zezë përfshin Zvonko Veselinoviqin dhe vëllanë e tij, Zharko, të cilët, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Departamenti i Thesarit i akuzon se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.

Në këmbim, politikanët u kanë dhënë vëllezërve Veselinoviq kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

Sipas tij, në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Veselinoviqin është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë – Lista Serbe.

Radoiçiq ka lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviqit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.

Marko Roshiq, i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është po ashtu në listë.

Në mesin e tyre është edhe Radulle Steviq, sipërmarrës serb nga veriu, i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës, për projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Kosovës.

Lista përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova, të cilat janë të lidhura me disa nga të përmendurit më lart.

Në mesin e tyre janë shumë kompani që janë të lidhura me Zvonko Veselinoviqin, si: “Dolly Bell” nga Beogradi, kompania për shitjen e automjeteve “Civija Komerc” nga Shabaci, kompania ndërtimore ‘INCOP’ nga Quprija, kompania e betonit “Aleksinac”, dyqani i pavarur “Prizma” nga Mitrovica e të tjera.

Në listë është edhe kompania “Doo Rad” e Radulle Steviqit në Zveçan, si dhe disa kompani të Millan Radisavleviqit dhe Sinisha Nedelkoviqit.